
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Petrit Vuksanit në Shkodër, teksa është zbardhur edhe dëshmia e gruas që ra pre e kërcënimit të autorit të dyshuar Lekë Vuksani. Ky i fundit dyshohet se qëlloi me armë zjarri pronarin e banesës që kishte marrë më qira duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas vrasjes, 34-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e gruas në fjalë dhe e ka kërcënuar me armë që të hapë derën dhe të mos njoftojë policinë. Mësohet se autori e njihte mirë zonën pasi përballë banesës ku trokiti për t’u fshehur kishte qëndruar me qira vëllai i tij.
Gruaja ka treguar se ai i ka thënë që nuk do i bëjë asgjë dhe ka ardhur në banesën e saj vetëm për të qëndruar.
Sakaq, mësohet se në polici gruaja ka deklaruar se Lekë Vuksani ka shfaqur një sjellje normale. Ajo e ka parë atë duke komunikuar me familjarët dhe duke i treguar vendndodhjen, çka ka bërë lokalizimin e tij.
Edhe familjarët e tjerë të Vuksanit janë shprehur se ai nuk e ka fikur celularin në asnjë moment.
“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë.
Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja që “strehoi” për 21 orë 34-vjeçarin.
Petrit Vuksani kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Anglia. Ai kishte shkuar të nxirrte nga banesa Lekë Vuskanin pasi ai nuk kishte kryer pagesat e qirasë. Mes tyre nisi një konflikt që përfundoi me një viktimë.
Lini një Përgjigje