
Dy prokurorë anglez kanë mbërritur në Shqipëri për tu njohur me dosjen hetimore të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill në Shëngjin.
Ata do të njihen me provat që implikojnë personat e vënë nën akuzë të cilët janë ndaluar nga policia britanike.
Hetuesit anglez po zhvillojnë takime me drejtues te prokurorisë se Lezhës dhe grupin hetimor ne lidhje me këtë çështje.
Autoritetet angleze kërkojnë që të njihen me provat për të vendosur me pak rreth ekstradimit te personave te arrestuar në Angli me kërkesë të prokurorisë së Lezhës.
Kujtojmë se katër persona që u shpallën në kërkim në Shqipëri u kapën dhe u arrestuan në Britani. Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, dhe Edmond Haxhia, 37 vjeç, nga Birmingham, u shfaqën në Gjykatën e Westminster të shtunën për procedurat e ekstradimit. Edhe 27-vjeçarja Harriet Bridgeman nga Bristol u shfaq në të njëjtën gjykatë të hënën, shkruan BBC.
Ata u kapen në zona të ndryshme, në një operacion të zhvilluar nga NCA, një agjenci për goditjen e krimit të organizuar në Angli.
Bashkë me ekzekutorin portugez, Ruben Saraiva dhe informatorin tjetër anglez Harry Simpson, ata u shpallën në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të autoriteteve shqiptare që zbardhën në pak kohë të gjithë skemën e vrasjes së biznesmenit 50-vjeçar në lokalin e tij.
Në bazë të materialeve të dërguara nga autoritetet shqiptare, një gjyqtar atje ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Për të bërë të mundur vënien para drejtësisë shqiptare, Edmond Haxhia, i cili konsiderohet si organizator dhe 3 anglezët që ndihmuan në realizimin e planit, do të kalojnë përmes një procesi gjyqësor, pasi do të jetë drejtësia atje që do të vendosë për ekstradimin drejt vendit tonë.
Në kërkim për ngjarjen mbeten portugezi Ruben Saraiva dhe informatori Harry Simson që duket në pamje të filmuara nga kamerat e hotelit të Nikulajt.
Informacionet e mbërritura nga autoritetet britanike, tregojnë se portugezi Saraiva, është person me precedent penal dhe i njohur për rekorde të rënda kriminale atje.
Prokuroria dhe Policia e Lezhës thonë se ngjarja ka pasur motiv gjakmarrjen. Hetimet provuan se 5 te huajt u pritën në aeroport nga Edmond Haxhia, cili rezulton të jetë djali i dajës së personave me të cilët viktima ishte në hasmëri prej më shumë se 20 vitesh.
Pamjet filmike, makinat e sekuestruara, motori i përdorur në vrasje që u gjet i hedhur në lumin Drin, veshjet e përdorura nga autori dhe dëshmia e një vajze të lidhur me Haxhinë, sipas hetuesve, kanë provuar dhe dokumentuar mekanizmin e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Rolet i 4 britanikëve në vrasje
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
Lini një Përgjigje