TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Shtator 2023, 13:38

Vrasja në Rrëshen, pse Martin Bardhi u ekzekutua me datë 26 Shtator?

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja në Rrëshen, pse Martin Bardhi u ekzekutua me datë 26

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e sotme në Rrëshen, ku Martin Bardhi humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë. Ai u vra para lokalit në pronësi të tij, ndërsa të plagosur mbetën edhe 3 persona të tjerë.

Dyshimet e para janë që ngjarja të ketë ndodhur për hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve mes fisit Bardhi dhe Reçi.

“Ne po kryejmë veprimet e para procedurale në vendngjarje. Jemi akoma në fazën e parë. Dihen konfliktet që kanë pasur fisi Bardhi me fiset e tjera dhe po punojmë për zbardhjen e identifikimit sa më të shpejtë dhe kapjen e autorëve”, tha drejtori i Policisë, Alfred Elezi.

Martin Bardhi sapo ishte liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin ndaj Saimir Reçit në Rrëshen.

Atentati i ditës së sotme ka një të përbashkët me ngjarjen e ndodhur 6 muaj më parë, e cila është data e  krimit. Më 26 Mars u qëllua ndaj Saimir Reçit, ndërsa më 26 Shtator u vra Martin Bardhi.

Në lidhje me ngjarjen e disa muajve më parë janë në kërkim djali i Martin Bardhit, Erindi dhe një kushëri i tyre, 28 vjeç për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Kujtojmë se në atë kohë u qëllua ndaj makinës së blinduar të Reçit. Ky i fundit humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një bordurë, por nuk u plagos. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili në vitin 2020 u ekzekutua me snajper në qendër të Rrëshenit.

Gjithçka ndodhi pasi Erind Bardhi fillimisht është konfliktuar me Saimir Reçin në qendër të qytetit të Rrëshenit për një vend parkimi dhe pas këtij momenti shkoi në banesë për të marrë armën.

Autoritetet kanë konstatuar duke u djegur një makinë tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, në fshatin Gëziq të Mirditës. Megjithatë deri më tani, nuk ka asnjë shenjë të tyre.

Në ndihmë të policisë lokale ka shkuar edhe FNSH dhe RENEA ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli në drejtim të Kukësit, Laçit, Lezhës dhe Dibrës.

vrasje rreshen martin bardhi

Lini një Përgjigje