
Katër personat e arrestuar në Shkodër si autorë të dyshuar të vrasjes me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri, kanë dalë sot përpara gjykatës.
Të arrestuarit janë Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Sipas autoriteteve, ata dyshohen se kanë vepruar në bashkëpunim në kryerjen e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Të arrestuarit do të përballen me disa akuza të rënda penale, mes tyre “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e roleve konkrete të secilit prej të dyshuarve.
Dyshohet se njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati është paguar me shumën prej 1 mijë eurosh për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte Ymeri, më datë 27 dhjetor, dy ditë para se të bëhej shpërthimi i telekomanduar.
Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet nëse të riut i ishin premtuar para të tjera ose jo. Burime nga grupi hetimor konfimojnë se Bushati u tradhtua nga kamerat e sigurisë teksa është fiksuar duke kaluar në zonë, por edhe gjatë kohës që ka ndërruar rrobat pasi vendosi lëndën plasëse.
27-vjeçari Bushati shfaqet i veshur me kominoshe të cilat i kishte veshur sipër rrobave të tjera dhe pasi largohet nga zona, heq kominoshet dhe i hedh në anë të lumit. E gjithë skena është fiksuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ndërsa rrobat e përdorura prej tij tashmë janë sekuestruar nga hetuesit.
Në sajë të hetimeve të kryera, hetuesit zbuluan se ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe dy të arrestuarit Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor ka dyshime të forta se shpërthimi i telekomanduar të jetë bërë nga Ergys Ibrahimi, sapo 67-vjeçari Hysni Ymeri ishte duke u ngjitur për në banesë.
Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, deklaratë që më pas u kundërshtua nga OSHEE. Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën në përgjim ambiental nga policia. Por pa e ditur këtë detaj, të dyshuarit kishin nisur të komunikonin me njëri-tjetrin.
Të arrestuarit nuk kanë konflikte direkte me viktimën, ndërsa hetuesit nuk kanë ende të qartë se kush është porositësi i vërtetë i krimit, apo edhe motivi i vrasjes së 67-vjeçarit.
Lini një Përgjigje