
Arbër Paplekaj, ish efektivi i RENEA-s i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani, ka kërkuar lirimin me kusht nga qelia në Gjykatën e Durrësit.
Në kërkesën e tij, ish-efektivi i RENEA-s ka argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit.
Seanca pritet të mbahet më 16 korrik.
Kur ndodhi vrasja
Pjerin Xhuvani, përkrahës i PS, u vra më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale ku struktura informale e ngritur PD-ja për të mbrojtur votat ndaluan makinën e Mehmet Greces, me pretendimin se po shpërndante para në këmbim të votave për PS. Ky i fundi thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin. Nga PD ishte struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD, pjesë e të cilës ishte dhe Paplekaj.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur nga radhët e PD-së, Emiljani Prenga dhe Paulin Vuksani, dhëndri i Xhuvanit, Edjon Budani dhe efektivja e policisë Xhensila Sota.
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.
Lini një Përgjigje