TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Qershor 2023, 15:45

Vrasja e menaxherit të VIP-ave, Apeli lë në fuqi vendimin për Elsi Levendin; do të vuajë 10 vite e 8 muaj burg

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e menaxherit të VIP-ave, Apeli lë në fuqi vendimin

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Elsi Levendin, i akuzuar për vrasjen e ish menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti. Ai është dënuar me 16 vite burg por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 10 vite e 8 muaj në burg.

Mbi të rëndon akuza “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 18 mars të vitit 2019 rreth orës 22:15 në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë.

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të  Kodit Penal. Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.L, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit J.K, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.L do të vuaj 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve: - Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim. - Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi: - Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Jurgen Kurti humbi jetën më 18 mars 2019 në një atentat të bërë në zonën e Sheshit Wilson kryeqytet, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Ai u qëllua për vdekje disa herë me pistoletë nga dy persona, të maskuar. Kurti sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe po kalonte trotuarin për t'u ngjitur në banesë kur ndaj tij u qëllua duke e lënë vdekur në vend. 

Por Jurgen Kurti ishte një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë, në 2016 u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe i akuzuar për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve. Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Në rastin e parë autorësinë e vrasjes së babait të tij, Artur Kurti e mori daja Leonard Ristani, ndërsa në rastin e dytë në vrasjen e Agim Arapit në Durrës u dënua vëllai i vjehrrit, pavarësisht se u arrestuan të tre. 

Pas ngjarjes së 11 prillit 2017, Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë. Dy të akuzuarit e tjerë, Kostandini Ekonomi u shpall i pafajshëm, vëllai i tij Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Në 2018 dolën pamjet e vrasjes, ndërsa gruaja e Arapit kërkonte me forcë burgosjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se “është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij”. Në këto pamje dukej se në vendngjarje ishin tre persona; Jurgen Kurti dhe Kujtim dhe Konstandin Ekonomi. Gjithashtu Jurgen Kurti njihej edhe si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte.

vrasja menaxherit levendi burg

Lini një Përgjigje