3 persona dyshohet se morën pjesë në vrasjen e Gentian Bejtjes pasditen e së premtes në oborrin e banesës në Larushk të Fushë Krujës.
Në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka sekuestruar 48 gëzhoja, të cilat dyshohet se u qëlluan nga dy qitësa, teksa autori i tretë i priste në makinë.
Nga rindërtimi i ngjarjes hetuesit kanë dyshime se autorët kanë ardhur me makinën tip “Land Rover” nga hyrja kryesore e banesës së 43-vjeçarit dhe dy nga vrasësit janë futur brenda duke përfituar nga fakti se dera ka qenë e hapur.
Hyrja e tyre në banesë mendohet se është pikasur nga viktima, i cili ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur pasi në tentativë e sipër ka humbur jetën në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë.
Pasi u siguruan se Bejtja ndërroi jetë, autorët u larguan në drejtim të fshatit Hasan. Në këtë zonë ata dogjën automjetin brenda të cilit u gjetën 4 kallashnikovë. Nga verifikimet makina tip “Land Rover” e përdorur në krim rezultoi e vjedhur në Shkodër, në Gusht të 2023.
Për të krijuar një itinerar të lëvizjes së autorëve policia dhe prokuroria kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në zonë. Gjithashtu janë shoqëruar në polici disa persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë. Kontrolle janë kryer dhe në banesat e disa personazheve të njohur të botës së krimit, të cilët kanë pasur përplasje në të shkuarën me Gentian Bejtjen, por nuk janë gjetur.
43-vjeçari, ishte një emër i njohur për policinë, pasi në të shkuarën i ka shpëtuar 3 atentateve. Më i fundit ishte në korrik të vitit 2023 po në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk, ku Bejtja u shpëtoi breshërive të plumbave, por mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagos djali i tij 10 vjeç.
Për këtë ngjarje në atë kohë 43-vjeçari u shpall në kërkim policor për t’u marrë në pyetje. Gjithashtu emri i Gentian Bejtjes është lakuar në disa ngjarje kriminale, të cilat grupi hetimor po i verifikon nëse lidhen apo jo me ekzekutimin e tij.
Lini një Përgjigje