
Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në Lezhë, ku u vra biznesmeni Ardian Nikulaj. Ky i fundit u qëllua për vdekje në lokalin e tij, ndërkohë që policia nuk ka asnjë të dhënë se cili është autori.
Deri më tani janë sekuestruar filmimet e kamerave të sigurisë dhe janë pyetur shumë persona. Mësohet se kanë dhënë deklarimet e tyre edhe punonjësit e hotelit, të cilët kanë bërë përshkrimin e vrasësit.
Një ndër personat me të cilin vrasësi ka pas kontakt viziv është roja i hotelit. Ky i fundit ka treguar se ai i ka folur dhe kishte zë të trashë.
“Isha brenda lokalit dhe po përshëndeta pronarin Ardianin i cili sapo kishte ardhur dhe u ul në tavolinë. Në ato momente erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë. Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend”, ka thënë roja.
Edhe banakieri i lokalit, që ishte në pronësi të viktimës, ka dhënë disa detaje mbi autorin. Ai është ndalur te dialekti i autorit që, sipas tij ishte nga Veriu ose nga Shqipëria e Mesme, por jo nga Jugu.
“Rreth orës 13 e 27 minuta unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt. Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor”, ka thënë ai.
Në pamjet që janë publikuar, autori është shumë gjakftohtë, teksa më pas largohet me motor. Po ashtu ka dyshime se ai e ka monitoruar prej disa ditësh biznesmenin.
Lini një Përgjigje