
Policia greke ka identifikuar katër nga autorët shqiptarë që u përfshinë në sherrin e rëndë të një natë më parë në Athinë, ku pas të shtënave me armë, mbeti aksidentalisht i vrarë 40-vjeçari Pëllumb Islami.
Dy prej tyre janë Erlis Salaj dhe Julian Qose.
Policia thotë se 7 shqiptarët e përfshirë në ngjarje, dyshohet se janë arratisur në Shqipëri, për t’i shpëtuar policisë helene.
Autoritetet greke janë në vënë në kërkim të personave që janë pjesë e dy bandave, të dyja shqiptare dhe rivale me njëra-tjetrën, ndërsa njihen si persona me rrezikshmëri tepër të lartë.Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, si dhe gjobëvënie.
Një natë më parë, 7 shqiptarët janë futur në një lokal në Athinë, dhe pas një sherri të ashpër, njëri prej tyre ka qëlluar 9 herë me armë, dhe një prej plumbave ka kapur aksidentalisht 40-vjeçarin, duke i marrë jetën në vend. Viktima nuk kishte asnjë lidhje me personat në fjalë, ndërsa raportohet se ishte duke parë ndeshjen me shokët e tij.
Ai punonte si hidraulik në shtetin helen, ndërsa ka qenë vëllai i tij i cili e ka identifikuar atë në morg.
Më 16 Tetor 2022, policia greke bastisi lokalin e natës të kontrolluar nga banda e shqiptarëve. Hetimi u bë në fshehtësi të plotë nga frika e dekonspirimit pasi grupi kriminal mbante kontakte edhe me policë, raportojnë mediat greke.
Autoritetet e vendit fqinj, në dosjet e tyre, e cilësojnë këtë bandë si grup mafioz që ka depërtuar në shumë nivele dhe mban kontakte edhe më shumë të burgosur nëpër burgje e Greqisë.
Lini një Përgjigje