Azizi tha në gjykatë se ndaj tij është qëlluar shumë herë (rreth 30 plumba) gjatë një atentati në vitin 2020, dhe për këtë arsye është detyruar të largohet nga Shqipëria dhe të shkojë në Britani.
Personazhi i njohur i botës së krimit, Irfan Azizi po tenton të bllokojë ekstradimin nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik nga një atentat i dytë i mundshëm i organizuar nga Talo Çela.
Azizi tha në gjykatë se ndaj tij është qëlluar shumë herë (rreth 30 plumba) gjatë një atentati në vitin 2020, dhe për këtë arsye është detyruar të largohet nga Shqipëria dhe të shkojë në Britani.
36-vjeçari tha se grupi kriminal që tentoi ta vriste “kryen edhe atentate për gjyqtarë dhe politikanë” dhe se do të kërkonte hakmarrje nëse ai kthehet në Shqipëri. Ai aktualisht ka kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me bashkëshorten, ndërsa më herët janë akomoduar në një hotel të financuar nga taksapaguesit.
Gjykata e Magjistraturës në Westminster dëgjoi se Azizi kërkohet në Shqipëri për të vuajtur një dënim prej një viti burg, pasi është dënuar në mungesë për posedim telefoni celular gjatë kohës që ishte në paraburgim për vepra të tjera penale.
Gjatë një shkëmbimi të pazakontë, Azizi pranoi se kishte paguar gjyqtarin në Shqipëri për të mbyllur çështjen dhe sugjeroi se kjo do të thotë se ai nuk është më person i kërkuar.
Të dhënat gjyqësore në Britani tregojnë se Azizi dhe një tjetër shqiptar u dënuan secili me gjashtë muaj burg në Gjykatën e Kurorës në Swindon, në prill 2025, për përdorim të patentave të rreme gjermane.
Azizi ka gjithashtu një histori të gjatë kriminale në Shqipëri, përfshirë përfshirjen në rrjete të paligjshme lojërash fati.
Në shkurt 2019 ai u dënua me dy vite burg për vjedhje, ndërsa në qershor të po atij viti mori një tjetër dënim prej dy vitesh e tre muajsh për vjedhjen e një automjeti Mercedes-Benz B-Class.
Megjithatë, vetëm pesë muaj më vonë ai u lirua dhe u kthye sërish në jetën e përditshme.
Atentati ndaj tij ndodhi më 29 nëntor 2020. Ai tregoi se kishte parë një automjet që ndaloi pranë një pike karburanti, nga i cili doli një person i armatosur me kallashnikov.
“Ata filluan të qëllonin drejt meje, rreth 30 plumba. Një plumb më goditi në dorë, duke ma thyer në 13 vende.”, deklaroi ai në gjykatë.
Organizatori i atentatit është raportuar gjerësisht në mediat shqiptare si Talo Çela, një ish-mik i afërt i Azizit dhe aktualisht një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.
Çela dyshohet se ka lidhje me grupin kriminal Çopja, një furnizues i rëndësishëm i kokainës në Londër.
Azizi, djali i një fermeri, tha se u largua nga Shqipëria me autobus pesë javë pas atentatit dhe mbërriti në Britani disa ditë më vonë.
Ai fillimisht qëndroi tek miq dhe një kushëri, përpara se në shtator 2021 të vendosej në Sheffield, ku iu bashkua bashkëshortja.
Azizi pretendoi se në Shqipëri kishte qenë një “biznesmen i pasur”, me tre pika karburanti, lavazhe dhe një bar-kafe.
Pas mbërritjes së bashkëshortes në Britani, çifti kërkoi azil duke argumentuar se kishin frikë nga persekutimi në vendin e tyre dhe u akomoduan në një hotel për azilkërkues në Wiltshire. Më pas u zhvendosën në Taunton, ku jetojnë aktualisht me katër fëmijët e tyre, të cilët marrin mbështetje nga autoritetet lokale.
Azizi deklaroi në gjykatë se kishte paguar për të mbyllur çështjen e telefonit, por këmbënguli se nuk kishte bërë asgjë të gabuar.
“Ky është një metodë ku paguan për të mbyllur çështjen. Nuk kam mashtruar, kam korruptuar. Nëse ka një dënim me burg dhe dëshiron ta heqësh, paguan,” tha ai.
Ai shtoi se do të bashkëpunonte me hetimet për atentatin ndaj tij dhe do të kthehej në Shqipëri për të dëshmuar, por vetëm nëse autori kryesor arrestohet dhe akuzohet.
Sipas tij, ai ka dhënë tashmë një dëshmi të plotë tek prokurorët shqiptarë. Gjatë kundërpyetjeve, përfaqësuesi ligjor z. Ball sugjeroi se Azizi po e ekzagjeron fuqinë e grupit kriminal që tentoi ta vriste, duke theksuar se ai nuk kishte marrë asnjë kërcënim gjatë pesë viteve në Britani.
Ai shtoi se as bashkëshortja dhe katër fëmijët e Azizit nuk ishin kërcënuar gjatë kohës që jetonin në Shqipëri, përpara se t’i bashkoheshin atij në shtator 2021.
“Nëse mendoni se ky grup është kaq i fuqishëm, pse nuk jeni kërcënuar që atëherë?”.
“Thoni se ata kanë fuqinë të vrasin njerëz ndërkombëtarisht, megjithatë nuk ka asnjë provë që ju kanë kërcënuar,” shtoi ai.
Azizi u përgjigj: “Këta njerëz kanë kryer vrasje me urdhër të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Kam prova.
Ata nuk të paralajmërojnë kur do të të vrasin, thjesht vijnë. Herën e parë që erdhën të më qëllonin, nuk më paralajmëruan.
Mund të shkoj dhe të dëshmoj, por kam frikë për familjen dhe bashkëshorten time.
Nëse kthehem në Shqipëri do të më vrasin dhe, për të mos ndodhur kjo, do të detyrohem t’i vras unë dhe nuk dua të kryej krim duke mbrojtur veten.”
Gjykata dëgjoi se ekstradimi do të kishte pasoja të rënda për bashkëshorten e Azizit, ndërsa përfaqësuesi ligjor argumentoi se ata gjithsesi rrezikojnë dëbimin nëse kërkesa për azil refuzohet.
Ndërkohë, seanca gjyqësore vijon, ndërsa vendimi pritet të përcaktojë nëse “Fania” do të rikthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë apo do të mbetet në Britani në statusin e azilkërkuesit./Marrë dhe përshtatur nga "Daily Mail"
Lini një Përgjigje