
Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, gjatë një operacioni policor të forcave “Shqiponja” u raportua se gjatë kontrollit në rrugën “Butrinti” në Sarandë, tek një automjet tip “Porsche”, një nga personat që ndodhej në automjet u hodh në det, në tentativë për t’i shpëtur policisë. Ai kishte me vete edhe një çantë. Personi u kap nga policia kufitare dhe në çantë iu gjet një armë zjarri e cila u sekuestrua.
Të arrestuarit janë Endri Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali, ky i fundit dhe person në kërkim për vepra të rënda penale.
Mjeti u ndalua fillimisht nga forcat “Shqiponja” në rrugën “Butrinti” të cilët kanë tentuar të kontrollojnë pasagjerin e ulur në sediljen e parë.
Gjatë tentativës që ai të shoqërohej drejt furgonit që ndodhej vetem 1 metër larg mjetit “Porsche”, i dyshuari është larguar me vrap, është futur mes turmës me turistë dhe është hedhur në det.
Në të njëjtin çast, është tentuar të neutralizohet pasagjeri që ndodhej në sediljen mbrapa, i cili mbante gjithashtu një çantë krahë qafë.
Në këtë moment, duke përfituar nga fakti që gjithë forcat po ndiqnin personin që u hodh në det, dhe duke qenë se pranë tij ishte vetëm një efektiv policie, ai është larguar me vrap mes mjeteve të parkuara, madje duke hypur mbi një prej tyre. Nuk dihet ende nëse mes 4 personave të shoqëruar është edhe ky i fundit.
Njoftimi nga Policia
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, operacioni policor i koduar “Diving”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma.
Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.
Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.
Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:
* E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
* I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
* B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.
Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje