
Lihen të lirë drejtori teknik i kompanisë “Delvina Gas”, Luan Metaj, dhe inxhinieri Elton Malkaj, të cilët u arrestuan një ditë më parë nën akuzën e ndërtimit të një impianti gazi pa leje në pronë publike.
Ata u liruan me vendim të prokurores Esmeralda Basho. Policia njoftoi ditën e djeshme se arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga autoritetet përkatëse.
Në përfundim të kontrolleve, u arrestuan në flagrancë Luan Metaj dhe Elton Malkaj, të dyshuar për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtim i tokës”. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim pronari i kompanisë, S. M., 56 vjeç, dhe administratori Jugelard Ibrahimi, 36 vjeç, për të njëjtat akuza’.
"Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në bashkëpunim me inspektorët e IKMT Tiranë dhe me Inspektoratin e Mjedisit, ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë.
Gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Ndërkohë, IKMT ka bllokuar punimet dhe ka mbajtur procesverbal për konstatimin e kundërvajtjes. Ndërsa kompania “Delvina Gas Company” ka mohuar akuzat.
Në një reagim për mediat, avokatët e kompanisë sqarojnë se objekti në fjalë nuk është një impiant prodhimi energjie (TEC), por një impant pastrimi, pjesë integruese e pusit të gazit në vendburimin e Delvinës.
Sipas kompanisë, ky impiant është ndërtuar që prej tre vitesh dhe aktualisht ndodhet në fazë mirëmbajtjeje. Dy teknikët e arrestuar ishin thjesht mirëmbajtës, ndërsa vetë subjekti pretendon se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore në përputhje me kuadrin hidrokarburor në fuqi.
Lini një Përgjigje