Avokati Alban Bengasi i cili u arrestua ditën e sotme në Rinas, ka paguar 120 mijë euro për të vrarë ish-gruan e tij, për të cilën dyshonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.
Dëshminë tronditëse e ka dhënë për SPAK, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Në dosjen e SPAK, Dumani rrëfen se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta.
Ndërkohë vetëm dy vite më parë në një intervistë për mediat, Blerta Bengasi dënonconte dhunën që i kishte ushtruar ish-bashkëshorti avokat, i cili nuk e lejonte as të shikonte tre femijët e tyre.
Pas 19 vitesh martesë, ajo dhe bashkëshorti Alban Bengasi, me profesion avokat, u divorcuan, pas mosmarrëveshjeve dhe dhunës fizike.
Gjyqtarja Irena Plaku vendosi, që kujdestaria e fëmijëve t’i kalonte të atit, ndërsa Blerta duhet t’i takonte fëmijët çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, pas mësimit.
Por ish-bashkëshorti Alban Bengasi nuk ia ka lënë të ëmës t’i shohë fëmijët.
Si të mos mjaftonte kjo situatë, në janar të 2020 Blerta dhunohet nga një person i paidentifikuar dhe policia në vend, që të sekuestronte kamerat, tha, se atë ditë ato nuk kanë punuar.
Blerta ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje, që nuk e mbrojnë.
Blerta Bengasi tregon, se megjithë vendimin e gjykatës, që duhet të takojë fëmijët pas shkolle, titullarët e shkollës nuk e lejojnë, të porositur nga ish bashkëshorti i saj, që të hipin direkt në furgonin e transportit.
Djali i vogël 7-vjeçar nuk i afrohej, duke i thënë, se nuk e di, nëse e ka marrë malli. Dhe mes kësaj situate konfliktuale, “qershia mbi tortë” është sugjerimi i gjyqtares Irena Plaku, që kërkon gjetjen e gjuhës së përbashkët mes dy prindërve, edhe pse në mes janë disa urdhra mbrojtjeje.
Kur më në fund, takimi përmbarues-psikolog-shkollë do të realizohej për takimin e nënës me fëmijët, përmbaruesi Klodian Petri, kërcënohet me jetë. Alban Bengasi, duke thyer urdhrin e mbrojtjes, vjen në shkollë i shoqëruar nga 7 persona dhe kërcënon përmbaruesin, se do ia mbushë barkun me plumba.
Lini një Përgjigje