
Një i ri shqiptar është dënuar me 5 vite burg në Britani pasi është përfshirë në transportin dhe magazinimin një sasie kokaine dhe heroine, me vlerë të përllogaritur deri në 200 mijë paund.
Bëhet fjalë për shqiptarin 21-vjeçar, të identifikuar si Edlir Gjoka, i cili sipas mediave të huaja ka hyrë në territorin anglez ilegalisht në janar të vitit 2023, dhe vetëm tre muaj më vonë u bë pjesë e veprimtarisë kriminale të tregtisë së drogës.
Gjoka u ndalua nga policia britanike teksa po ngiste një makinë të marrë me qira, ndërsa gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit iu gjetën dhe sekuestruan 635 paund, dy telefona ‘iphone’ dhe dy blloqe me kokainë, që peshonin pak më shumë se një kilogram në total.
Sipas policisë droga që posedonte i riu shqiptar ishte e klasit A dhe kishte një vlerë deri në 100,000 £.
Dy blloqe të tjera me heroinë u gjetën pas kontrollit në banesën e tij, si dhe 14 bimë kanabisi që ishin kultivuar në papafingo. Heroina gjithashtu peshonte pak më shumë se një kilogram dhe vlerësohej rreth 100,000 £.
Gjoka, u deklarua fajtor për akuzat e posedimit të kokainës dhe heroinës me qëllim të furnizimit. Mediat britanike thonë se para togave të zeza, 21-vjeçari është shprehur se kishte vepruar si "korrier".
Avokati i tij tha se Gjoka u kishte borxh disa personave që e ndihmuan të hynte ilegalisht në vend, por ai nuk kishte ardhur këtu me qëllim që të përfshihej në trafiqe të drogës.
Lini një Përgjigje