
SPAK ka dërguar për gjykim një person, i akuzuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal.
Bëhet fjalë për Emiljan Burbën, i cili akuzohet për trafikimin e rreth gjysmë toni drogë hashash me kamion të rëndë paletash druri industrial drejt Austrisë, rast i goditur nga Policia Kufitare e Shkodrës dhe Antidroga në muajin shtator të vitit 2023.
Ai akuzohet për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim me formën e grupit të strukturuar kriminal “Grup i strukturuar kriminal”.
Emiljano Burba rezulton se është miku i Aldo Bares (drejtues i Bandës së Lushnjës, i burgosur) të cilit iu sekuestruan dy resorte në vlerë 3 mln euro pak kohë më parë nga SPAK. Resortet e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 55-vjeçarit. Ai ka qenë i dënuar në Itali në vitin 2014 me 21 vite burg për trafik droge, ndërsa ky rezulton se është precedenti i dytë.
Prokuroria e Posaçme sqaron gjithashtu edhe skemën me të cilën vepronte grupi. Grupi krijonte dhe regjistronte në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) disa subjekte tregtare fiktive (pa aktivitet tregtar, adresë reale dhe me dokumente të falsifikuara), në emër të të cilëve lëshoheshin faturat e eksportimit të mallrave që ngarkoheshin më pas në mjete transporti, të regjistruar me dokumente të falsifikuara, ku fshihej lënda narkotike, me qëllim trafikimin.
Kjo skemë tregonte një shkallë të lartë organizimi, e sofistikuar dhe tipike për një grup të struktuar kriminal.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar më 27.01.2025 për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë shtetasin Emiljan Burba, i akuzuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal, në kuadër të procedimit penal, nr.159 të vitit 2024.
E.B akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim me formën e grupit të strukturuar kriminal “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1, 334/1 të Kodit Penal.
Më 29.07.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar aktet dhe ka regjistruar procedimin penal mbi bazën e shpalljes së moskompetencës në hetime nga ana e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.
Hetimet janë kryer lidhur me ngjarjen në pikën e kalimit të Hanit të Hotit (Bozhaj) në hyrje të Malin e Zi, më 17.09.2023, rreth orës 00:30, kur u bë zbulimi dhe sekuestrimi i një sasie lënde narkotike e llojit kanabis, me peshë totale 442.084 kg. Kjo sasi u zbulua gjatë kontrollit të një mjeti motorik të tonazhit të rëndë të markës “Renault” me targa AB948IX dhe rimorkion e markës “Krone”, me targa AJR363, të drejtuar nga shtetasi Ilirjan Orhan dhe me pasagjer Kristi Orhan. Të dy shtetasit transportonin paleta për në Republikën e Austrisë dhe brenda tyre ishin fshehur 73 pako të mëdha PVC (Polivinil Kloruri) dhe 112 pako më të vogla, te mbështjella me natriban. Subjekti tregtar edhe kamioni rezultonin të ishin regjistruar në emër të personave fiktive. Të dy shtetasit e mësipërm janë arrestuar në flagrancë dhe proceduar penalisht nga autoritetet gjyqësore të Malit të Zi.
Hetimet treguan se skema e përdorur për trafikimin e narkotikëve bëhej përmes krijimit dhe regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) të disa subjekteve tregtare fiktive (pa aktivitet tregtar, adresë reale dhe me dokumente të falsifikuara), në emër të të cilëve lëshoheshin faturat e eksportimit të mallrave që ngarkoheshin më pas në mjete transporti, të regjistruar me dokumente të falsifikuara, ku fshihej lënda narkotike, me qëllim trafikimin. Kjo skemë tregonte një shkallë të lartë organizimi, e sofistikuar dhe tipike për një grup të strukturuar kriminal.
Për këtë procedim penal janë veçuar hetimet për pjesëmarrësit e tjerë në grupin e strukturuar kriminal, të identifikuar dhe të paidentifikuar, për episodin e përmendur dhe episode të tjerë të trafikimit të lëndëve narkotike”, njoftoi SPAK.
Lini një Përgjigje