
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar dy efektivë policie në Gjirokastër, teksa një i tretë është në kërkim, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Mësohet se janë arrestuar Alfred Kondi, shefi i sektorit të krimit të organizuar në Gjirokastër dhe Feim Onjea, shoferi i ish-drejtorit të Policisë Ardian Çipa.
AMP njofton se ka zbatuar urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ndaj:
-Kryekomisar Alfred Kondi, Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë të Vlorës dhe Gjirokastrës, i cili dyshohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor”, kryer në bashkëpunim.
-Nënkomisar Xhevit Dine, Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, gjithashtu i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
-Inspektor Feim Onjea, pjesë e forcës speciale Shqiponja, i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shpërdorim të autoritetit policor” në bashkëpunim. Ai aktualisht është shpallur në kërkim.
Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetas për veprat penale të “Kontrabandës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
-Bledar Mustafaraj, doganier në degën doganore të Kakavijës, i dyshuar për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kontrabandë nga punonjës të lidhur me veprimtarinë doganore”.
-Ili Muho dhe Kleodor Kazo, të dyshuar për “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Falsifikim vulash, stampash dhe formularësh” kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.
Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.
Lini një Përgjigje