
Ngjarja ndodhi në zonën e “Astirit" dhe viktima u identifikua si Amaraldo Hoxhallari 34-vjeç.
Një tjetër krim për motive xhelozie ka ndodhur në Tiranë. Pas ngjarjes te Komuna e Parisit, ku efektivi i policisë, Erjon Goxhara plagosi Lorenc Kostën, pasi ky i fundit kishte lidhje intime me bashkëshorten e tij, sot një i ri ka vrarë me thikë një 34-vjeçar, pasi ky i fundit dyshohet se i ngacmonte të fejuarën.
Ngjarja ndodhi në zonën e “Astirit" dhe viktima u identifikua si Amarildo Hoxhallari, 34-vjeç. Ndërkohë autori është Darmian Keli, 25-vjeç. Fillimisht dyshohet se ka pasur një sherr mes tyre, ku më pas i riu ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar 34-vjeçarin. Ai është larguar nëpër rrugica, por u kap nga policia.
Sipas burimeve, dyshimet janë se 34-vjeçari i ka ngacmuar dje partneren 25-vjeçarit dhe sot ata kishin lënë takim për t'u sqaruar. Por si duket i riu kishte shkuar me thikë më vete. Ata janë përplasur fizikisht dhe 25-vjeçari mësohet se e ka qëlluar disa herë me thikë në gjoks dhe në këmbë, duke i shkaktuar plagë mjaft të rënda viktimës.
Policia njoftoi fillimisht plagosjen e 34-vjeçarit: "Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale shtetasi D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi D. K., për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, tha fillimisht policia.
Më pas Policia doli me një informacion shtesë: “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ku në Unazë të Re, është plagosur me mjet prerës shtetasi A. H., ju informojmë se ky shtetas si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor ka arrestuar në kushtet e flagrancës autorin e dyshuar të kësaj ngjarje, shtetasin D. K”./Pamfleti
Lini një Përgjigje