
Një 30-vjeçar ka tentuar të korruptojë një efektiv të policisë kufitare për të kaluar ilegalisht në Greqi. I riu ishte deportuar nga shteti fqinj dhe ka tentuar të rikthehet në Greqi në mënyrë të parregullt.
Kur shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë i kanë kërkuar pasaportën, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit, ai ka dorëzuar mjetin e identifikimit me një kartmonedhë 50 euro në brendësi të saj.
Ndaj 30-vjeçarit me iniciale S. D., banues në Kuçovë, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
"Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të RSh-së, i kanë kërkuar shtetasit S. D., pasaportën, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit. Shtetasi S. D. e ka dorëzuar pasaportën me një kartmonedhë 50 euro në brendësi të saj, me qëllim korruptimin e punonjësit të Policisë Kufitare, që ta lejonte të kalonte kufirin në mënyrë të parregullt, duke qenë se shtetasi S. D. ishte kthyer deportiv nga Policia Kufitare e Greqisë. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. D., 30 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje