
Polica ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Korçës, ku dy persona mbetën të vrarë.
Sipas informacioneve, një 40 vjeçar i identifikuar me inicialet Emiljano Pine, është qëlluar me armë nga një person i pa identifikuar. Pine mësohet se ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Korçës.
Ndërkohë autori, pasi ka kryer krimin mësohet se është vetëvrarë me armë zjarri. Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e saj.
“Më datë 28.02.2024, rreth orës 20:25, në lagjen nr. 18, Korçë, rruga “Koço Golniku”, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. P., rreth 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.
Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorit të ngjarjes”, njofton policia.
Lini një Përgjigje