
Gjykata e Apelit ka lënë në burg Julian dhe Andrea Kalemi, të cilët dyshohet se kanë strehuar në banesë vrasësin e biznesmenit Edmond Papa.
RENEA arrestoi më 28 gusht 48-vjeçarin Andrew Bode dhe miqtë e tij që e strehonin në Memaliaj, Julian Kalemi dhe Andrea Kalemi.
Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi është kushëriri i Aleksandër Sadikajt (i njohur si Sanço) i vrarë dy vite më parë. Polica arrestoi në korrik Kalemin, babai i të cilit u vra në një atentat në Memaliaj, vetëm pak javë më parë.
Andrea Kalemit, iu gjet në banesë edhe një arsenal armësh, pasi siç duket po përgatitej për ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së të atit.
Në banesën e Adriatik Kalemajt, policia gjeti 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë. Sipas policisë 52-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë më 16 dhjetor 2022, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën "Fadil Bodinaku". 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të atentatorëve që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë. Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar. 6 muaj i janë dashur Albano Velos, djalit të efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022. 30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet u arrestua në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës në bashkëpunim me Andreë Boden.
Babai i shumë të përfolurit për krime, Adriatik Kalemi, u vra në një atentat të trefishtë natën e 20 korrikut, në lokalin pranë bashkisë së Memaliajt, kurse xhaxhai iu plagos. Shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot 6 plumbave të kallashit që iu derdhën në turp. Po ashtu, kanë humbur jetën kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes. Policia gjeti makinën e djegur, brenda saj tre kallashnikovë, ndërsa krimi trefishtë ende nuk është zbadhur.
52-vjeçari Andrea Kalemi i njohur si Adriatik Kalemi rezulton të jetë një emër jo pak i njohur për policinë shqiptare.
Në vitin 2001 ai rezulton se është arrestuar nga forcat speciale RENEA. Gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Kujtojmë se qershor 2022, mbeti i vrarë në një shpërthim me eksploziv kushëriri i tij, Aleksandër Sadikaj. Pak muaj më vonë u ekzekutua në zonën e Selitës biznesmeni Edmond Papa, si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.
Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Aleksandër Sadikajt, Albano Velo, si dhe është në kërkim shoku tjetër Andrea Bode. Ndërkohë në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
52-vjeçari figuron pronari i një bar kafe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj, agjenci shitblerje dhe dhënie me qira të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit.
Njoftimi i plotë:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë
Në kuadër të marrjes dhe zbatimit të masave për personat të cilët janë të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion në rrugë operative se, në banesat e personave nën hetim A (A) alias S. K, dhe J.K strehohet shtetasi me iniciale A.B, person ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit me karakter shtrëngues personal “arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj:
(I) personit nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
(II) personit nën hetim me iniciale J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 349, datë 29.08.2024, ka vendosur:
– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyesë dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e paligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit më të butë se “arresti në burg”.
Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 348, datë 29.08.2024, ka vendosur:
– Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim J.K, i dyshuar për kryerjen e vepraës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.
– Caktimin ndaj personit nën hetim J.K masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale J.K i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë se ajo e “arresti në burg”.
Në përfundim të gjykimit, më datë 04.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtare znj. Arta Duka, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 349, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Miratimin e vendimit nr. 348, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Lini një Përgjigje