TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Dhjetor 2025, 15:56

SPAK heton pasuritë e 89 kosovarëve në Shqipëri, dyshohet se janë përfituar nga trafiku i drogës

Shkruar nga Pamfleti

SPAK heton pasuritë e 89 kosovarëve në Shqipëri, dyshohet se

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po verifikon pasuritë që 89 shtetas të Kosovës mund të kenë në Shqipëri. Organet e drejtësisë në Kosovë dyshojnë se këto pasuri burojnë nga veprimtari kriminale. SPAK po vepron mbi bazën e një letërporosie nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila heton 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi që merret me trafik droge dhe pastrim parash. Hetimi i palës kosovare i ka identifikuar të pandehurit përmes komunikimeve në aplikacionin SKY ECC. Të dhënat e serverëve të konfiskuar nga drejtësitë belge dhe franceze kanë shërbyer si provë.

Gjykata e Posaçme në Tiranë ka miratuar kërkesën e palës kosovare. SPAK ka filluar gjurmimin e pasurive të dyshuara në Shqipëri. Sipas të dhënave të hetimit në Kosovë, grupi kriminal ka transferuar fitimet e trafikut të drogës në biznese të ngritura prej tyre ose prej personave të lidhur me ta. Ata kanë shfrytëzuar blerjen e tokave, shtëpive, apartamenteve dhe mjeteve të transportit për të fshehur origjinën e parave.

Autoritetet e Kosovës deklarojnë se një pjesë e investimeve është bërë në territorin e tyre, ndërsa pjesa tjetër në shtete të tjera përfshirë Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye, kërkesa e tyre përfshin kontrollin e pasurive të 58 personave të tjerë që lidhen familjarisht me të pandehurit. SPAK do të analizojë regjistrimet e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në Shqipëri, si dhe çdo llogari bankare të mundshme që personat në hetim mund të kenë hapur në bankat e nivelit të dytë.

Lini një Përgjigje