Autori i dyshuar i vrasjes së inxhinierit ditën e sotme në Vlorë, është Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Meta.
Prej disa vitesh autori dhe viktima kishin përplasje mes tyre për shkak të blerjes së një apartamenti.
Viktima Armando Meshau ka qenë në një pikë interneti për të printuar dokumente dhe sipas burimeve ka nisur të konfliktohet me Rei Metën, i cili ishte në po të njëjtin ambient.
Sipas burimeve, debati ka degjeneruar me grushte ku shkaku ka qenë një banesë. Meshau ka debatuar me Metën, duke e ofenduar me fjalë banale dhe i ka thënë që s’ke për ta marrë apartamentin.
Pas debatit, Meta e ka qëlluar Meshaun dy herë me grusht në fytyrë dhe nga goditja ai ka rënë pa ndjenja në tokë duke humbur edhe jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Policia e arrestoi Rei Metën disa orë pas ngjarjes së rëndë në "Lungomaren" e Vlorës.
Nurihan (Seiti) Meta është anëtare e Këshillit të Larte të Prokurorisë që nga krijimi i institucionit në vitin 2018. Ajo është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nga radhët e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Emri i saj u bë i njohur për publikun gjatë votimit të kreut të ri të SPAK, pasi vota e saj shkoi në favor të kandidatit Edvin Kondili.
Lini një Përgjigje