RENEA bastisi më 17 Janar, banesën e të shumëkërkuarit për vrasje, Erjon Llapushi, por nga kontrollet rezultoi se nuk ishte në banesë.
Familja e Erjon Llapushit, shtëpia e të cilit është kontrolluar ditën e djeshme nga forcat RENEA, ka hedhur poshtë pretendimet se në banesë janë gjetur sende të jashtëligjshme.
Në reagim thuhet se "asnjë nga personat e proceduar penalisht diten e sotme nuk ka lidhje me Erjon Llapushin".
‘Në lidhje me kontrollin e ushtruar ditën e sotme në banesën e familjes (prindërve) të Erjon Llapushit në Pogradec, ju bëjmë me dije se asnjë objekti paligjshëm nuk është gjendur në banesë, gjë lehtësisht e verifikueshme nga proces-verbali i dorëzuar nga policia pas kontrollit, i cili ju vihet në dispozicionon në vijim të këtij komunikimi, si edhe nga komunikata e Policisë së Shtetit në platformën sociale Facebook. Gjithashtu, theksojmë që asnjë nga personat e proceduar penalisht ditën e sotme nuk ka lidhje me Erjon Llapushin, përveçse janë banorë të të njëjtit qytet.
Do të dëshironim që mediat të verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, dhe të kenë kujdes nga lajmet e rreme që mund të dëmtojnë individë.’, thotë familja e Llapushit.

Më tej ata kanë edhe një thirrje për drejtësinë.
Sipas familjarëve nëse çështja gjykohet në parim të së drejtës penale, Erjon Llapushi dorëzohet të vuajë dënimin për veprën e kryer, por jo për historitë e adoleshencës se tij.
‘Nuk mund të mos e bënim këtë reagim pas gjithë ditës së ngarkuar. Për çështjen që djali im është në kërkim që nga muaji Tetor 2021, ne kemi shkresë noteriale dhe marrëdhënie të stabilizuara ndërmjet familjeve, që në muajin Dhjetor të vitit 2021, pasi rasti ishte një rast fatkeq.
Prokuroria e Elbasanit në ditët e para e akuzoi për plagosje të rëndë me dashje, më pas, pasi fatkeqësisht zotëria ndërroi jetë, plagosje e rëndë me dashje më pasojë vdekjen dhe çuditërisht më pas akuza ndryshon në vrasje me dashje, në shkelje të të drejtës penale dhe ndryshe nga çdo rast fatkeq i gjykuar në Republikën e Shqipërisë.
Nëse çështja gjykohet në parim të së drejtës penale, djali im dorëzohet të vuajë dënimin për veprën e kryer, dhe jo për historitë e adoleshencës se tij. Theksoj që në çdo rast për çështje të faktuara është përballur me drejtësinë.
Përsëris që djali im është në kërkim vetëm për veprën penale të Tetor 2021. Nuk ka çështje te tjera.’, thuhet në reagimin e familjes.

Aksioni i RENEA-s në Pogradec
RENEA zbarkoi në Pogradec pas plagosjes me thikë të Nikolla Agollit këtë 11 janar në një berberhane, nga Sindi Syzo, një person me precedentë penalë.
Ndihmuar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Operacionalja dhe Policia e Korçës, me një total prej 200 efektivësh, forcat blu kontrolluan 28 shtëpi të personave të lidhur me botën e krimit. 14 u shoqëruan në komisariatin e Pogradecit, dhe në fund 6 prej tyre u arrestuan.
Konsideruar ndër më kryesorët në mesin e të arrestuarve, Fatjon Bono 35 vjeç kishte në shtëpi 86 mijë euro, qindra litra naftë kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, dhe një makinë Land Rover të vitit 2018, të cilat u sekuestruan.
Fatjon Bono ka qenë më herët i arrestuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë pikëpamjet e rij radikale në përkrahje dhe rekrutim në grupin ekstremist ISIS, për të cilën vite më parë u la i lirë për mungesë provash.
Në banesën e një tjetër të arrestuar, Aldi Hoxha, 34 vjeç iu gjetën 121 mijë euro në valuta të ndryshme, 2 armë gjahu, pistoletë pa leje, municione dhe 2 thika fluturë.
4 të tjerëve të arrestuar, Eris Çekani, 41 vjeç, Denis Xhemollari, 33 vjeç, Arbri Berberi, 47 vjeç, dhe Enxhi Xhemollari, 33 vjeç, iu gjetën thika, kokaine, shufra hekuri si të policisë dhe aparate celular me aplikacione për lojëra fati.
Njëri prej tyre, Eris Çekani, rezulton të të jetë përplasur në mars të vitit 2023 me Sindi Syzon, personin ende në kërkim për plagosjen në berberhane,
RENEA bastisi edhe banesën e të shumëkërkuarit për vrasje, Erjon Llapushi, por nga kontrollet rezultoi se nuk ishte në banesë.
3 vite më parë ai kapi për fyti kamerierin Gazment Kurmaku për një tavolinë në restorant, e kërcënoi me thikë, e më pas e vrau, ngjarje për të cilën Prokuroria e Elbasanit ka kërkoi 20 vjet burg. Në 2020-ën, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë e dënoi kërcënim me dhunë të kryer në bashkëpunim. Nuk dihet rrethanat se si ai fitoi lirinë për një vepër penale që dënohet deri në 8 vjet burg, ndërkohë që ka vijuar aktivitetin kriminal./ Pamfleti
Lini një Përgjigje