Një 34 vjeçar i identifikuar si Hektor Dyrmishi është arrestuar nga policia në Berat pasi qëlloi me armë zjarri në Lapardha. Në hetim është vënë shoku i tij për moskallëzim të krimit. 34-vjeçari rezulton me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së informacionit se rreth orës 20:30, në një rrugë të fshatit Lapardha, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të mbështetura nga inteligjenca informative, si dhe falë koordinimit të punës me Policinë e Elbasanit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, u kap në Elbasan dhe u vu në pranga shtetasi H. D., 34 vjeç, banues në Elbasan. Nga hetimet paraprake dyshohet se rreth orës 20:30, ky shtetas ka qëlluar disa herë, me armë zjarri në ajër, nga automjeti. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka shoqëruar në automjet shtetasin H. D., dhe nuk ka kallëzuar krimin. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua automjeti me të cilin qarkullonte shtetasi H. D."-njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje