TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Mars 2023, 07:14

Sulmohet me armë godina e Top Channel, humb jetën roja e sigurisë

Shkruar nga Pamfleti

Sulmohet me armë godina e Top Channel, humb jetën roja e sigurisë

Godina e televizionit Top Channel, afër studiove të Big Brother është sulmuar me armë zjarri gjatë mesnatës. Breshëria e plumbave i mori jetën rojës së godinës, Pal Kola, 60 vjeç. Mësohet se roja i sigurisë ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëse që ka pasur brenda kabinës në momentet që është qëlluar me breshëri plumbash. 60-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Një makinë e djegur tip ‘Range Rover’ është gjetur nga policia në Golem të Kavajës, e cila dyshohet se u përket autorëve. Në brendësi të mjetit të djegur janë gjetur 2 kallashnikovë. Mjeti ‘Range Rover’ rezulton me targa të vjedhura.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi. Mjaftoi një prej tyre që të linte të vdekur në vend, 60-vjeçarin Pal Kola, i cili mori një plumb në trup.

Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel.

"Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve", ka njoftuar policia.

Sulmi është drejtuar tek hyrja kryesore e Top Channel e cila kufizohet me rrugën, por më pak se 200 metra distancë ndodhen studiot ku aktualisht po zhvillohet programi Big Brother Vip që po shkakton dhe shumë protesta.

Sulmohet me armë godina e Top Channel, humb jetën roja e sigurisëSulmohet me armë godina e Top Channel, humb jetën roja e sigurisë

Lini një Përgjigje