
Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme për shkak se nuk janë dakord me zhvlerësimin që u bëhet pronave të tyre të cilat preken nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar.
Edhe pse është dita e 175 e protestës së tyre, banorët thanë se përgjigja që kanë marrë nga institucionet është se ata nuk kanë të përfunduar projektin se si do të bëhen nënkalimet, apo edhe rrugët dytësore në këtë zonë.
Banorët kanë paralajmëruar se në rast se nuk dëgjohet zëri i tyre do të ndërmarrin akte ekstreme për të gjetur të drejtën e tyre.
“Nuk ka asnjë lloj reagimi apo informacioni që të na jepet. Nuk denjon kush të bëjë asnjë sqarim”, tha një banor.
Ata kërkojnë të takojnë përfaqësues të qeverisë për të dialoguar për shpronësimin e pronave me vlerën e çmimit të tregut.
Banorët akuzojnë qeverinë se po u grabiten pronat. Ata kërkojnë shpronësime sipas çmimit të tregut dhe një rrugë dytësore për fshatin. Ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ata thonë se nuk do të tërhiqen për të mbrojtur pronat e tyre. Aksi Thumanë-Kashar është pjesë e autostradës Milot-Fier, që pritet të përfundojë në verën e vitit 2024.
Lini një Përgjigje