
Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca, Armando Ndreca u arrestua ditën e sotme nga policia e Lezhës, pas një operacioni antidrogë.
Publikohen pamjet kur Armando Ndreca u kap nga policia në fshatin Kashnjet të Lezhës.
Në komisariat është shoqëruar edhe kunati i Armando Ndrecës.
Policia bën me dije se gjetën një ambient (stan), në pyjet e fshatit Kashnjet, i cili ishte pershtatur për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.
Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.
“Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të zbatuar planin e posaçëm operacional policor që ka si objektiv parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike në ambiente të hapura ose të mbyllura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Lezhë, me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Imazhi 1”, njofton policia.
Lini një Përgjigje