TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Prill 2024, 15:50

Policia aksion në Malësi të Madhe me urdhër të SPAK, lëshohen 9 urdhër-arreste

Shkruar nga Pamfleti

Policia aksion në Malësi të Madhe me urdhër të SPAK,

SPAK ka lëshuar 9 urdhër-arreste në kuadër të hetimeve që nisën dy vite më parë mbi një serë me kanabis që u gjet në Berat.

Gjashtë persona janë arrestuar tashmë, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Rreth dy vite më parë, në Berat u zbuluan serat e kanabisit ndërsa procedimi filloi për 11 persona. Operacioni është zhvilluar në Malësi të Madhe dhe në Berat.

Njoftimi i SPAK
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të SPAK, ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për nëntë persona të vënë nën hetim për prodhim dhe shitja të lëndëve narkotikëve, dhe grup i strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj 9 (nëntë) personave nën hetim.

Në datën 24 prill 2024, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëveprim me oficerë të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekzekutuan masat e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht shtetasit:

– S.H. banues në Koplik, Malësi e Madhe;
– A.V. banues në Drenovicë, Berat;
– M.M. banues në Gruemirë, Malësi e Madhe;
– L.B. banues në Demiraj, Malësi e Madhe;
– S.S. banues në Demiraj, Malësi e Madhe;
– A.Ç. banues në Vodëz, Kuçovë, Berat,

Ndërkohë janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë, ku gjatë kontrolleve nuk është bërë e mundur gjetja e tyre dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për caktimin e masës “arrest në burg”.
Krahas kësaj, sot më datë 25 prill 2024, në zbatim të vendimit Nr.246, datë 23.04.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle në 9 banesa të personave nën hetim, për të cilat janë proceduar më herët, konkretisht:

– B.XH. banues në Nikël, Krujë;
– E.Xh. banues në Nikël, Krujë;
– S.B. banues në Shëngjin, Lezhë;
– J.U. banues në Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe;
– M.D. banues në Nikël, Krujë;
– H.D. banues në Drenovicë, Berat;
– S.L. banues në Dobraç, Shkodër dhe ndaj dy personave të tjerë:
– S.Ç. banues në Lapardha, Berat;
– E.T. banues në Vodëz (Kuçovë) Berat.

Gjatë këtyre kontrolleve, në banesën e njërit prej të hetuarve më parë, u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike, pajisje elektrike dhe mushama reflektuese. Në përfundim të kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 33 aparate celularë, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete.

Të arrestuarit e lartpërmendur dyshohen për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, për ngjarje të verifikuar më datë 10.11.2022, në fshatin Rërëz (Berat), ku në një territor të hapur, u gjetën të ngritura 4 sera të mbyllura me plastmas, në sipërfaqen e të cilave u evidentua e instaluar linjë elektrike dhe linjë e furnizimit me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave, tek të cilat u gjetën 769 arka plastike, 11 thasë plastmasi të zinj, të mbushur me kanabis, me peshë totale 871.4 kg, kërcej bimësh e pleh kimik, peshore elektronike, gërshërë metalike, dyshekë e jorganë, armë zjarri, celularë, që u sekuestruan, ku u arrestuan dhe po hetohen edhe aktualisht me masa të ndryshme sigurie 11 persona.

Gjithashu këtu u identifikuan si punëtorë në sera edhe 95 persona të gjinisë femërore.

Ndaj të arrestuarve të djeshëm (disa nga Malësia e Madhe dhe të tjerë nga Kuçova e Berati) ka dyshime të bazuara në prova se në bashkëveprim në grup të strukturuar kriminal, në muajt maj/qershor 2022, ndërmorën një veprimtari të mirëmenduar më parë, për marrjen me qera të disa parcelave toke në Rërëz, Berat, ku pasi ngritën 4 sera për kultivimin e bimëve narkotike, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e kanabisit, e ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të kanabisit, me qëllim shitjen.

Për realizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm ata rekrutuan si krah pune, persona të gjinisë femërore, të cilat edhe i paguanin për punën që kryenin. Për mbrojtjen e aktivitetit të paligjshëm kishin siguruar dhe armë zjarri, disa prej të cilave u sekuestruan.

Më konkretisht, i arrestuari me inicialet S.H., shfaqet si organizator e drejtues i aktivitetit të kultivimit të kanabisit, i cili kujdesej për mirëfunksionimin e sistemit ujitës e vaditës në sera dhe për shpenzimet për mjete pune, ushqime, medikamente, si dhe për pagesat e punëtorëve në sera, ku siguronte dhe armë zjarri për sigurinë e serave. I arrestuari A.V., ka vënë parcelat dhe tokat në dispozicion të kultivuesve e prodhuesve të lëndëve narkotike, i cili gjithashtu ishte i përfshirë aktivisht në veprimtarinë prodhuese të narkotikëve.

I arrestuari M.M., bashkëvepronte për sigurimin e lëvizjes së personave (kryesisht të gjinisë femërore). Edhe i arrestuari L.B., shfaqej aktiv në transportimin e fuqisë punëtore nga qytete e rrethina në Drenovicë, Berat. Të njëjtat aktivitete kryenin edhe të arrestuarit S.S. e A.Ç., të cilët siguronin mjetet e pajisjet e nevojshme (gërshërë, thasë, qese etj.), për mbarëvajtjen e aktivitetit, si dhe ushqime për fuqinë punëtore.

gjykata kanabis arrest me burg

Lini një Përgjigje