Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, ka zbardhur të tjera detaje gjatë seancës në GJKKO, ku po vijon gjykimi ndaj disa personazheve të botës së krimit.
Në seancën e sotme, Dumani u përballë me pyetjet e avokatit Përparim Kulluri, i cili mbron të pandehurin Fatos Gosa. Dumanit iu kërkua të tregonte se si u arrestua herën e fundit nga policia dhe pse nuk e vrau ‘Otin’ e Elbasanit (Elton Kila), në muajin mars 2022, kur u plagos vetë në Elbasan dhe më pas u arrestua në Fier.
“Oti nuk ishte në Elbasan. Më ka nxjerrë në pritë Sueli. Oti (Elton Kila) nuk ishte as në Elbasan, as në Shqipëri. Henrik Hoxha ishte me një ‘E Class’ të marrë me qira në Fier. Henrik Hoxha komunikonte shpesh me Suel Çelën me ‘Matrix’ dhe me një program tjetër. Unë me Suel Çelën kam folur vetëm në momentin e atentatit, do dalin të gjitha në ‘Matrix’.
Nuk më ka bërë njeri presion për të bërë marrëveshjen me prokurorinë. Unë kam treguar, prokuroria nuk më ka premtuar gjë. Nuk kam çfarë marrë në këmbim. Me Talo Çelën jam njohur në fund 2009-2010, përmes Ilirjan Feçit. Me Talon i prisha marrëdhëniet sepse ai do vriste vëllanë tim. Agim Kabashin e kam pas komshi. Fatos Gosën e kam takuar dy herë. E kam parë disa herë. Talo Çela më ka thënë që komunikonte me Fatos Gosën me telefon të kriptuar.
Me Talo Çelën takimin e fundit e kemi bërë te shtëpia ime, në 2019, ose fillim i 2020. Kam folur me të në telefon, kjo është në Sky Ecc.
Ka qenë vera e 2020. Që prej atherë nuk kam më komunikim. Ai me kërkoi të vrisja Erjon Alibej për 2 milionë euro. E kam takuar Fatos Gosën te “Pishat” në Peqin. Zonën nga Rrogozhina në Elbasan e njoh shumë mirë.
Unë kam qenë me makinë të vogël, 2-3 minuta ndenja. Ika për Durrës pastaj. Fatosin e njihja edhe më përpara. Pas daljes time nga burgu u takuam për herë të parë”, dëshmoi Dumani duke iu përgjigjur pyetjeve.
Lini një Përgjigje