TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2025, 19:22

Plagosja me pistoletë stilolaps në Tiranë, policia arreston motoristin e picerisë që qëlloi 15-vjeçarin

Shkruar nga Pamfleti

Plagosja me pistoletë stilolaps në Tiranë, policia arreston

Policia ka vënë në pranga autorin e plagosjes së dy ditëve më parë në një piceri në Tiranë.

Ngjarja ndodhi në zonën e “Ali Demit” dhe pas një konflikti, shoferi i picerisë 21-vjeçari, Aldi Neziri ka plagosur me një “pistoletë stilolaps” një 15-vjeçar.

Pas ngjarjes në kërkim u shpall Aldi Neziri (autori) dhe Leonardo Mejdani (Administratori). Ndërkohë që janë arrestuar dhe punonjësit e picerisë: Ferit Basha, Andi Kyka dhe Keivin Bala. Pas arrestimit të Nezirit, mbetet në kërkim administratori i picerisë.

Në dukje një ngjarje aksidentale, plagosja ka ngritur pikëpyetje të mëdha për hetuesit se çfarë ndodhi vërtetë, pasi deri më tani të përfshirët, tentojnë të fshehin çdo gjurmë.

Arsyet janë të shumta. I mituri, i cili kishte nisur punë vetëm 2 javë më parë në picerinë e kushëririt të tij në zonën e “Ali Demit”, nuk ishte i deklaruar.

Pasditen e së dielës, ai ndodhej ulur në një tavolinë me kushëririn administrator Leonardo Mejdani dhe kolegun, shpërndarës picash, 21-vjeçarin Aldi Neziri. Për motive të paqarta ende, punonjësi nxjerr një armë zjarri të modifikuar në formë stilolapsi, dhe godet me plumb në qafë të miturin, i cili u transportua në spitalin e Traumës. Askush nuk njoftoi policinë, por u kujdesën të fshehin gjurmët e asaj çfarë kishte ndodhur.

Tre punonjës të tjerë të picerisë “Fantazia”, tashmë të arrestuar, bashkë me administratorin e shpallur në kërkim, fshinë gjurmët e gjakut dhe hoqën DVR-në e pamjeve të kamerave të sigurisë të picerisë. Të gjithë, janë vënë nën akuzë për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Lini një Përgjigje