
Bujar Shega, alias Marsel Shega, është ekstraduar nga Italia, ku u arrestua nëntorin e vitit të kaluar.
I njohur si “truri financiar” në organizatën kriminale të të fortit të Elbasanit, Suel Çela, ndaj Bujar Shegës u lëshuar urdhër arresti nga SPAK.
Ndaj biznesmenit 52 vjeçar, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
Ekstradimi i Bujar Shegës në Shqipëri është kryer me pëlqimin e tij, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për pastrim parash dhe trafik droge.
“Ekstradohet nga Milano, një 52-vjeçar i akuzuar nga GjKKO, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Itali, M. Sh. alias B. Sh., 52 vjeç, i lindur në Elbasan.
Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, njoftoi policia.
Bujar Shega pritet të dalë para GJKKO për verifikimin e masës “arrest me burg” dhënë në mungesë.
Kush është biznesmeni Bujar Shega?
Marsel alias Bujar Shega është administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green. Shega njihet edhe si anëtar i bandës së Suel Çelës.
Kompanitë e tij, kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje e lidhje të forta në politikë.
Përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe një grupi të fuqishëm më bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.
Ndërkohë Suel Çela një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.
Në bazat dhe bizneset e të shumëkërkuarit në Elbasan është ushtruar kontroll ku janë marrë dokumenta dhe prova të tjera.
Goditja e organizatës kriminale ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në Sky Ecc, si dhe provave të tjera të sjella nga autoritetet belge, të cilat kanë hetuar prej vitesh në trafikun e kokainës dhe pastrimit të parave.
Lini një Përgjigje