TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shtator 2024, 13:03

Përgjimet nga dosja e SPAK/ Avokati i Henerigert Mitrit kërkon masë më të butë sigurie

Shkruar nga Pamfleti
Përgjimet nga dosja e SPAK/ Avokati i Henerigert Mitrit kërkon
Henrigert Mitri

Gjykata e Posaçme ditën e sotme la në fuqi masën e sigurisë "arrest ne burg" për ish-drejtorin e policisë së Lezhës, Henerigert Mitri. 

Në seancë, Mitri nuk ka dhënë deklarime, ndërsa avokati i tij ka kërkuar një masë më të butë.

Pas më shumë se 5 muajsh në kërkim, më 11 shtator, Henrigert Mitri u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Ish-efektivi i policisë po hetohet pasi ka dyshime se drejtonte kultivimin e kanabisit në Lezhë dhe organizonte aktivitetin e lojërave të fatit.

Pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, Henrigert Mitri u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit më 20 Maj 2024 me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Ai dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Lezhë së bashku me oficerin Klodian Shahini, gjithashtu i akuzuar nga SPAK, ushtronin aktivitetin e kultivimit të kanabisit dhe të lojërave të fatit në qarkun e Lezhës.

E gjithë veprimtaria e tyre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin Sky Escc.

Klodian Shahini rezulton se gjatë kohë që është angazhuar në veprimtarinë e kultivimit të drogës me drejtorin Henerigert Mitri, ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Qarkut Lezhë.

Mitri punonte edhe për ‘investitorin strategjik’ të Edi Ramës, Pëllumb Gjokën. Ai kujdesej që kazinotë e tij të paligjshme të Pëllumb Gjokës.

Ish-drejtori i lartë i Policisë së Shtetit, sipas SPAK, Henerigert Mitri në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.

"Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.

Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri, në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës", thuhet në deklaratën zyrtare të SPAK, pas zbardhjes së bisedave në SKY.

Preng Gjini i shpëtoi një atentati me minë në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.

SPAK zbardhi edhe atentatiN e vitit 2020 në Tiranë ku u hodh në erë makina me të cilën udhëtonte Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë në atë kohë. Në dosje thuhet se personi që kreu atentatin është nipi i Kastriot Reçit, Elson Reçi.

Në njoftimin e SPAK theksohet se personi i cili informonte Reçin për të gjitha lëvizjet e Gjinit ishte Klodian Shahini.

Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve mes fiseve Reçi e Gjini, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini më vonë e mohoi.

Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper nga një tarracë pallati në janar të 2020.

Ju rikujtojmë se në momentin e lëshimit të urdhër-arresteve nga SPAK, Henerigert Mitri mbante postin e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. 

Gjatë operacionit “Revanshi”, SPAK lëshoi 50 urdhër-arreste dhe goditi 7 grupe kriminale./ Pamfleti

henrigert mitri spak

Lini një Përgjigje