I riu Kevin Nora mësohet se ka tentuar të parakalojë me shpejtësi një mjet, duke kaluar në korsinë ku po udhëtonin dy vajzat. Në atë moment, për shkak të parakalimit të gabuar, dy mjetet janë përplasur kokë më kokë dhe vajzat humbën jetën.
Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës, kur 23-vjeçari Kevin Nora u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’, duke u marrë edhe jetën.
Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa është jashtë rrezikut për jetën.
I riu Kevin Nora, specialist në Ministrinë e Brendshme, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës me një mjet tip Audi kur u përfshi në aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë mbrëmjen e 24 gushtit.
23-vjeçari ka rezultuar i dehur në timon dhe për këtë arsye blutë e qytetit bregdetar tashmë e kanë vënë në pranga dhe akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Policia e Sarandës informoi se testi i parë i alkoolit rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.
"Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve", njoftoi Policia e Sarandës.
Lini një Përgjigje