TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Tetor 2023, 10:25

Do pastronin 18.4 mln € të ‘Cosa Notra-s’, Apeli lë në fuqi dënimin me 21 vite burg për kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit

Shkruar nga Pamfleti
Do pastronin 18.4 mln € të ‘Cosa Notra-s’, Apeli lë
Rezart Taçi

Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin me 21 vite burg për kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit, Bledar Lilon e Artur Ballën, të cilët do të pastronin 18.4 mln euro të mafias Cosa Nostra.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 11 vite burg Artur Ballën dhe 10 vite burg Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe ish-truprojën e Rezart Taçit, të akuzuar për pastrim parash.

Për shkak se ndaj tyre u aplikua gjykimi i shkurtuar, ata kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3 e viteve të parashikuara.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me Taçin transferuan 18.4 mln euro në një bankë të nivelit të dytë, para që dyshohen se i përkasin organizatës mafioze “Cosa Nostra”.

Dosja ndaj Rezart Taçit është ndarë për shkak së është në kërkim.

Ndaj Taçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Ndërkohë biznesmeni, Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli ka organizuar një skemë për pastrimin e parave në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

18.4 mln euro të mafies italiane 'Cosa Nostra' u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. Sipas SPAK, Taçi do pastronte paratë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre. 

Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia. 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e bllokoi operacionin.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 02.10.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 45 akti, datë 07.07.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit A.B., B.L., kundër vendimit nr. 26, datë 25.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.B. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh), në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

2. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehur A.B. dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.

3. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.L. për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh) në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.L., për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

5. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehura B.L. dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.

7. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit B.L. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim...”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 25.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

pastirm parash denim artur balla bledar lilo

Lini një Përgjigje