
Sherri mes adoleshentëve dyshohet se ka ndodhur për një borxh prej 200 ose 250 euro...
Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë në Pescara të Italisë, ku një adoleshent me origjinë shqiptare u masakrua me thikë. Sipas mediave vendase, ai u identifikua si Thomas Luciani, me origjinë shqiptare, pot i birësuar nga një familje italiane në Abruzzo.
Sipas “Corriere Della Sera”, 16-vjeçari mbylli sytë përgjithmonë në një panoramë të shkretë, mes mureve hekurudhore dhe barërave të këqija të parkut “Baden Powell”, në qendër të Peskarës. Nga kontrollet e para të policisë rezulton se ai kishte pasur disa probleme të vogla me drogën në të kaluarën.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye të dielën në mbrëmje ai u grind me dy djem të moshës së tij, të cilët në fund e vranë. Gjetjet e para flasin për një borxh 200-250 euro, por gjithçka është ende duke u verifikuar.
Një plagë me thikë, dy, tre... derisa ra pa jetë në mes të barit. Ai u godit të paktën 20 herë. Po të kërkosh diçka për të kaluarën e tij në internet, të vetmet faqe që gjen janë ato të një viti më parë: ai kishte ikur nga shtëpia dhe prindërit kishin dhënë alarmin.
Këtë herë Christopher ishte zhdukur që nga mbrëmja e së premtes. Duket se ai ishte i izoluar në një komunitet në Campobasso, ku përfundoi pasi u fut në telashe për të disatën herë. Ai kishte një leje për të dalë dhe për të ndjekur një kurs profesional. Por në atë komunitet të premten në mbrëmje askush nuk e pa atë të kthehej.
E sigurt është se mbrëmjen e së dielës ai ndodhej në parkun “Baden Powell” me dy bashkëmoshatarët e tij, të cilët u arrestuan disa orë më vonë.
Ata janë dy adoleshentë, të dy gjimnazistë, fëmijë të familjeve të njohura të zonës: njëri është djali i një marshalli karabinierësh; tjetri i një avokati, por që i është përkushtuar mësimdhënies prej vitesh.
Të dy u morën në pyetje nga hetuesit, para të cilëve nuk shfaqën asnjë shenjë emocioni: as lot, as pendim. Sipas gjetjeve fillestare, dy vrasësit e dyshuar kanë shkuar për të notuar në det pas krimit. Aty kanë hequr qafe edhe thikën, e cila ende nuk është gjetur.
Kur urgjenca u njoftua rreth orës 21:00, i riu ishte tashmë i vdekur. Përpjekjet e përsëritura për ta ringjallur ishin të kota. Duket se personi që ka thirrur për ndihmë ishte një djalë, i cili një pjesë të pasdites dhe mbrëmjes e kishte kaluar me dy të arrestuarit. Ai duhet të ketë kuptuar peshën e asaj që ndodhi dhe të ketë thirrur autoritetet për të gjetur trupin.
Pas gjetjes së trupit të viktimës pas një shkurre, hetuesit sekuestruan kamerat e zonës dhe gjithashtu ato përballë lagjes ku dy vrasësit e dyshuar shkuan për t'u larë me pjesën tjetër të grupit pas krimit. Falë pamjeve u bë identifikimi dhe arrestimi i tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje