
Safet Bajri është transferuar në bllokun e sigurisë, pranë burgut 302, pasi është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.
Ndaj Safet Bajrit ishte lëshuar një urdhër-arresti nga GJKKO me kërkesë të SPAK. Urdhër-arrestet u lëshuan për Safet Bajrin, kushëririn e tij Behar Bajri dhe krahun e djathtë të tij Astmer Bilali. Dy të fundit tashmë ndodhen të arrestuar në kuadër të dosjes 'Metamorfoza'.
Safet Bajri u shoqërua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës dhe më pas u transferua në Tiranë, ku qëndroi rreth dy orë në mjediset e policisë, për tu transferuar më pas në bllokun e sigurisë.
Në Shkodër, Safet Bajrit iu bë e ditur se do merrej në pyetje në Tiranë, ku u transferua nën masa të forta sigurie nga ekipet e RENEA dhe Operacionales. Sipas raportimeve, Bajrit iu tha se do t’I merrej një kampion gjaku për analizën e ADN-së, duke shmangur në këtë mënyrë komunikimin e ndonjë mase sigurie nga autoritetet policore në Shkodër.
Sipas raportimeve, urdhërarrestet janë firmosur në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit, pjesëtar i familjes rivale me Bajret në Shkodër.
Ekzekutimi i Fatbardh Lici që është vëllai i “Tatës”, Mustafa Lici dhe xhaxhai i Ibrahim Licit, ndodhi në vitin 2018. Fillimisht avokati nuk konfirmoi t'i jetë komunikuar ndonjë urdhër arresti, ndërsa pohoi se për herë të dytë kërkohet marrja e ADN-së së këtij shtetasi. Mësohet se Bajri është marrë nga shtëpia e tij në Dobraç pa bërë asnjë rezistencë dhe është nisur drejt Tiranës i shoqëruar me masa sigurie.
Shoqërimi i tij vjen 3 ditë pasi SPAK ushtroi kontroll në banesën e tij ndërsa firmosi masën e arrestit me burg për Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të akuzuar si pjesëtarë të grupit të Bajrit në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin dy të rinjtë. Sipas SPAK ata kishin shkuar të vrisnin Aleksandër Prendin por janë pritur me breshëri nga ky i fundit.
Ndërkohë SPAK ka bashkuar në një dosje dhe masakrën e Dobracit ku humbën jetën 4 persona.
Lini një Përgjigje