
Gazetari Spartak Koka ka zbardhur të tjera detaje nga dosja e SPAK për personat e arrestuar tre ditë më parë si pjesë e një bande kriminale.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Koka tregoi, sipas dosjes së SPAK, një komunikim të Ervin Matës me një person tjetër për një sasi kokaine të trafikuar në Gjermani, që u kap në aeroport nga autoritetet doganore.
“Ervin Mata ka një rol organizatori në trafikimin e lëndëve narkotike ndërkombëtare, sipas SPAK. Ervin Mata dyshohet sipas SPAK që ka organizuar trafikimin e 250 kg kokainë nga Brazili në drejtim të Frankfurtit, Gjermani. Lidhur me këtë episod, evidentohet një bisedë më 29 Shtator 2020 ku ai flet me një shtetas dhe i thotë “vlla unë e shes me 35, Ramazani ma ka paguar 34. Ata mund ta duan dhe për Belgjikë, po unë shes me 35”. Po flasin për kilen e kokainë, 35 mijë Euro. “Tashi ç’a të them unë, ok, ishalla i ka në Shqipëri, do ta ul dhe një pikë, prit të dali malli se është në avion”.
Akoma nuk dihej nëse ka dalë apo jo malli. “Do dhe 2 orë”. Dhe më pas i shkruan: “Vlla mos më shkruaj se s’di ku kam kokën, m’u kapën 244 copë”. Ervin Mata i shkruan një personi të paidentifikuar nga SPAK. Më pas i thotë “m’u kapën 244 copë, do lexosh në gazeta nesër, në Frankfurt”. Dhe më pas kemi një komunikim tjetër me një përdorues tjetër për të njëjtën sasi “plak, po ai i Frankfurtit ka ndonjë lek se më çmendën këta të daljes”. Mesa duket kuptohet për ata persona që do ta garantonin nxjerrjen e lëndës narkotike nga aeroporti. “Ai i Frankfurtit mos i jap njeriu lekë”, i thotë, “përveç se kur të thuash ti. M’u kap komplet malli në Frankfurt nga dogana”.
Komunikimi është në shqip. Shtetasi Ervin Mata, sipas SPAK, komunikon me përdoruesin me iniciale D.P. i paidentifikuar, evidentohet të komunikojë dhe për shuma parash të cilat kërkohet t’i marrë në Shqipëri ku tregohet se disponon shuma parash në Holandë, për të cilat dyshohet se kanë burim aktivitetin e paligjshëm dhe ka një bisedë tjetër dhe i thotë: “Veç në Shqipëri i du lekët unë, t’i kaloj 1 milion në Holandë po të duash”. Pra, po flasin për 1 milion Euro. “Po më pret me ç’a të duash, të flas të kaloj lekët sot, mos e vrit mendjen”, u shpreh gazetari Spartak Koka.
Tre ditë më parë, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste pas zbulimit të komunikimeve në telefonat e koduar SKY, nga të cilët u arrestuan 5 persona dhe 6 të tjerë u shpallën në kërkim.
Lini një Përgjigje