TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Prill 2023, 20:48

Nga kamerat e sigurisë, te iPhone, dëshmitarët dhe veshjet, provat që tradhtuan skuadrën e vrasësve të Nikulajt

Shkruar nga Pamfleti
Nga kamerat e sigurisë, te iPhone, dëshmitarët dhe veshjet,
Majtas portugezi që qëlloi dhe djathtas britaniku duke vëzhguar

Ndonëse u angazhuan 6 person për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ata gabuan thuajse në çdo aspekt. Sot policia bëri zbardhjen e plotë të krimit dhe doli qartazi se Nikulaj u vra për çështje hakmarrjeje. Por si u arrit të zbulohej toga e vrasësve nga ana e forcave të rendit?

Elementi kryesor që fundosi 6 personat është se nuk ditën të asgjësojnë provat. Falë kërkimeve, polici arriti të zbulojë se shtetasi portugez ka qëndruar në një godinë në ndërtim para vrasjes. Aty ai ka lënë shumë shenja. Më pas u largua dhe ka djegur veshjen me të cilën kreu krimin. Ai u ndërrua në Gjadër, por veshja nuk u dogj mirë dhe policia gjeti gjurmë ADN-je. Po ashtu efektivët gjetën një dokument identifikimi dhe një iPhone, mjete që ndihmuan në zbulimin e autorit.

Elementi tjetër që i fundosi është blerja e motorit dhe përdorja e tij në krim. Motori dyshohet se u ble nga porositësi i krimit Edmond Haxhia. Përveç kësaj, autori e mbushi me karburant motorin në Lezhë dhe pati bisedë me rojën, duke i folur në gjuhë të huaj.

Por elementi kyç janë kamerat e sigurisë. Shtetasi anglez që monitoronte biznesmenin duket qartë në kamerat e sigurisë. Po ashtu dhe vrasësi shihet qartë se si e kryen krimin. Kamerat fiksuan dhe makinën ku është i gjithë ekipi. Ata kanë përdorur shpesh telefonat gjatë mbikëqyrjes së biznesmenit dhe policia ka marrë qelizat telefonike nga kompanitë celulare. Gjithashtu personi që shërbente si vëzhgues ka tërhequr para në një bankomat, duke bërë që të tregojë të gjitha të dhënat e tij. 

Tjetër element është se ata rezultuan se kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë të rregullt nga Rinasi dhe largohen të gjithë në të njëjtën ditë. Një element që përdori policia janë dëshmitë. 4 britanikët dhe portugezi kanë pasur kontakte me banorët në zonat ku kanë qëndruar dhe kanë ngjallur mjaft dyshime.  Momentalisht nuk është gjetur vetëm motori, që është prova e fundit e kësaj ngjarje. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje