
Dy turistë suedezë, nënë e bir, përkatësisht 61 dhe 23 vjeç janë raportuar të humbur ditën e sotme në Parkun Kombëtar të Llogorasë.
Bëhet me dije se dy turistët janë nisur në mëngjes për të eksploruar zonën dhe kanë përshkuar një pjesë të parkut e të pyjeve, por pas disa orësh çdo kontakt me ta është ndërprerë.
Sipas informacioneve paraprake, turistët kanë dërguar një sinjal SOS, i cili është kapur nga autoritetet greke për shkak të mungesës së mbulimit me sinjal telefonik në anën shqiptare të gadishullit te Karaburunit. Emergjencat greke kanë njoftuar menjëherë autoritetet shqiptare.
Në terren janë angazhuar forcat e Emergjencave Civile, si dhe specialiste e zonave të mbrojtura të cilat po zhvillojnë kërkime në disa drejtime për të gjetur turistët. Gjithashtu, edhe policia e Vlorës është vënë në kërkim të tyre.
Lini një Përgjigje