TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Prill 2023, 20:59

Në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, arrestohet Ramazan Rraja

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, arrestohet Ramazan

Arrestohet nga policia Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja. Ai është shpallur në kërkim si i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndërkohë që po ashtu është dënuar me 12 vite burg nga drejtësia belge. Ai është arrestuar në Fushë-Krujë.

Ramazan Rraja ka qenë në Dubai, ndërsa përmes informacioneve të siguruara nga SPAK është arritur të lokalizohet. Sipas gazetarit Artan Hoxha ai është arrestuar në një lokal teksa ishte duke konsumuar darkën e iftarit me një grup besimtarësh myslimanë në një lokal pranë Urës së Gjoles.

Arjan Ndojës iu bë atentat te mbikalimi i Shkozetit në Durrës në vitin 2019. Prokurori ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, në atë kohë shofer i prokurorit.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur.

Pas breshërisë së plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një 'Benz CLS' që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Andi Maloku më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

Po ashtu pak ditë më parë drejtësia belge e ka dënuar me 12 vite Ramazan Rrajën. Sipas mediave belge, gjykata vendosi dënim me 12 vjet burg për krerët e grupit kriminal shqiptaro-letonez, tre vjet më shumë se sa kishte kërkuar Prokuroria Publike.

Hetuesit belgë përgjuan Rrajën teksa fliste me një person tjetër për kontejner me banane ku kishte drogë. Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e cilësoi grupin si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

Në vitin 2020, drejtësia belge dhe ajo gjermane pas një hetimi për gati dy vite zbuluan dhe goditën një grup kriminal të trafikut të kokainës duke arrestuar 8 persona, 6 nga të cilët janë shqiptarë, që cilësohen si drejtuesit e bandës. Mes të arrestuarve ishte edhe Ramazan Rraja.

Personat e tjerë me origjinë shqiptare të arrestuar ishin: Musa Gjikola 34 vjeç banues në Tiranë, Genti Balliu alias Flamur Balliu 37 vjeç banues në Tiranë, Bledar Pepaj 29 vjeç banues në Pukë dhe Fatmir Xhecuka 33 vjeç banues në Laç. Sipas policisë ky grup trafikonte kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.

Në vitin 2018 është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shqiptarë. Operacioni ka vijuar, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, të cilët u arrestuan nga data 15 deri në 21 Dhjetor 2020 në Shqipëri dhe Belgjikë.

Lënda narkotike fshihej në arkat e bananeve në kontejnerët që niseshin nga Amerika Latine, më pas në Belgjikë, Holandë e Gjermani. Trafikantët u vendosin GPS për të gjetur vendin ku do të shkarkoheshin kontenierët. Për të mos u identifikuar, trafikantët organizonin vjedhjen me armë e me maska në magazinat e bananeve, por në fakt ata merrnin sasinë e drogës.

Sipas policisë shqiptare, grupit të trafikantëve ju sekuestrua në atë kohë rreth 232 kg kokainë, armë zjarri dhe një shumë prej rreth 200 mijë eurosh. Ndaj personave të arrestuar ka nisur hetimi pasuror. Ndaj tyre tashmë rëndon akuza për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. /Pamfleti

Lini një Përgjigje