
Një 39-vjeçar, i dënuar nga GJKKO për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit, është deportuar nga Spanja.
Kreshnik Haxhiaj u arrestua në Spanjë dhe ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse në vitin 2024, GJKKO ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Deportimi”. Operacioni nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe me Policinë e Spanjës. Deportohet nga Spanja, një shtetas i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të DPPSH-së dhe me Policinë e Spanjës, Drejtoria e Antiterrorit finalizoi operacionin “Deportimi”, gjatë të cilit u deportua nga Spanja, shtetasi Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç.
39-vjeçari i kapur në Spanjë, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse në vitin 2024, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”. Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje