I riu i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët
Është publikuar fotoja e furgonit, brenda të cilit u gjetën një arsenal me armë, mijëra fishekë, pranga dhe uniforma policie, si dhe pajisje gjurmimi dhe shpërthimi në distancë.
Trafikantët e municioneve dhe armatimeve të sekuestruara, kanë përdorur si kamuflim një furgon të loguar me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”.
Mësohet se ky mjet kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në rrugën “Myslym Shyri” dhe se është ruajtur me efektivë civilë për të zbuluar kush hynte dhe kush dilte nga furgoni.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve
Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, është në emër të të arrestuarit Eugert Sino.
I riu i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka dijeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Sino rezulton me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme. Armët e kapura janë relativisht të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova.
Ata dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale dhe i përkisnin një grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Pranë vendit ku ishte furgoni, policia zbuloi edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
Më konkretisht, 12 janë pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.



I heqim kapelen per trajtimet qe i ka bere fytyres, duket qe eshte merakli