TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Tetor 2025, 17:23

Mashtroi duke u dhënë atësinë tetë fëmijëve, dënohet me 6 vite burg shqiptari në Britani

Shkruar nga Pamfleti
Mashtroi duke u dhënë atësinë tetë fëmijëve,
Gerald Cera

28-vjeçari shqiptar Gerald Cera është dënuar me 6 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi falsifikoi dokumente për të ndihmuar në mënyrë të paligjshme dhënien e shtetësisë britanike për tetë fëmijë shqiptarë.

Gerald Cera, pjesëtar i një grupi kriminal, u shpall fajtor për konspiracion për ndihmën e imigracionit të paligjshëm, pasi pretendoi se ishte babai biologjik i tetë foshnjave në aplikimet për pasaporta britanike mes shtatorit të vitit 2022 dhe gushtit të vitit 2024.

Hetimet zbuluan se Cera kishte dërguar fotografi të sajuara ku shihej duke mbajtur në krahë foshnjat, si dhe kishte përdorur dokumente personale origjinale, përfshirë pasaportën dhe certifikatën e tij të natyralizimit në Mbretërinë e Bashkuar. Pagesat për aplikimet ishin bërë përmes kartave bankare dhe adresave të emailit që mbanin emrin e tij.

Në seancën gjyqësore të mbajtur në St Albans Crown Court, gjykata e cilësoi mashtrimin si një skemë me “nivel të lartë planifikimi dhe sofistikimi”. Përveç burgimit, Cerës i është hequr edhe shtetësia britanike nga Ministria e Brendshme.

Sipas autoriteteve britanike, të gjitha pasaportat e fëmijëve të përfshirë janë anuluar. Gjatë hetimeve doli gjithashtu se Cera ishte mik me Petrit Musën, një tjetër shqiptar që muajin e kaluar pranoi fajësinë për mashtrimin me 13 raste të ngjashme të pasaportave për fëmijë shqiptarë.

Cera u arrestua në aeroportin e Lutonit më 16 shkurt 2025, ndërsa refuzoi të jepte kodet e aksesit për telefonin dhe laptopin e tij, duke u dënuar edhe për mosbashkëpunim me policinë.

Prokurorja e çështjes, Roma Karampatsi, tha se rrëfimet e tij gjatë hetimit ishin “plot kontradikta”, ndërsa shtoi se veprimet e tij cenojnë integritetin e sistemit të imigracionit britanik dhe dëmtojnë ata që kërkojnë të hyjnë ligjërisht në vend.

Lini një Përgjigje