
Tre persona janë arrestuar nga policia e Himarës, ndërsa dyshohen për një seri vjedhjesh në disa fshatra të zonës.
Të arrestuarit janë të moshës 31, 37 dhe 39 vjeç, ndërsa vjedhjet janë realizuar në muajt gusht-shtator të këtij viti.
Në të paktën tre raste, ata kanë marrë miliona lekë nga banesat që vjedhur dhe vegla pune në një banesë që kanë grabitur.
Sipas policisë, gjatë operacionit për kapjen e tyre, në banesën e 31-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan: 1 armë zjarri kallashnikov, me silenciator, 2 silenciatorë të tjerë, 2 krehra pistolete dhe 1 krehër kallashnikovi, me fishekë, 68 fishekë, 4 celularë dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjithashtu është marrë në hetim një 18-vjeçare, e cila sipas autoriteteve, ka patur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar.
Njoftimi nga Policia
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, si rezultat i hetimeve të thelluara dhe veprimeve intensive në terren, me fokus monitorimin e lëvizjes së shtetasve të dyshuar për krime kundër pronës dhe pasurisë dhe për armëmbajtje pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Break in”.
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë;
-D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë;
-K. H., 37 vjeç, banues në Finiq.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vjedhje në territorin e bashkisë Himarë, konkretisht:
-më datë 15.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 250 000 lekë, në banesën e shtetasit N. L., në fshatin Pilur;
-më datë 27.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 1 300 000 lekë, në banesën e shtetasit A. B., në fshatin Piqeras;
-më datë 19.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur 200 000 lekë, në banesën e shtetasit Q. M., në fshatin Borsh;
-më datë 20.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur vegla të ndryshme pune, në banesën e shtetasit G. N., në fshatin Borsh”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. M., 18 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se ka patur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej autorëve shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, me silenciator, 2 silenciatorë të tjerë, 2 krehra pistolete dhe 1 krehër kallashnikovi, me fishekë, 68 fishekë, 4 celularë dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve. Gjithashtu, u sekuestrua 1 automjet që dyshohet se është përdorur gjatë vjedhjeve.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme hetimore.
Lini një Përgjigje