
48-vjeçari Sinan Kovaçi është arrestuar nga policia pasi akuzohet për trafik të qenieve njerëzore. Ai ishte pjesë e një grupi që çonte shqiptarë dhe të huaj drejt SHBA kundrejt pagesës.
Kovaçi dhe grupi kriminal ku bënte pjesë kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të këtyre personave për shumën 30-40 mijë dollarë person.
Hetimi, i realizuar më 26 shkurt 2025, u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe autoritetet amerikane ka zbardhur aktivitetin e këtij rrjeti që ka funksionuar që prej vitit 2020.
“Arrestohet një shtetas shqiptar i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më datë 26.02.2025, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë së Përbashkët Hetimore dhe me bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara prezente në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ka depërtuar në një rrjet kriminal të akuzuar për kontrabandën e dhjetëra shtetasve shqiptarë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara. Ky aktivitet dyshohet se ka nisur në vitin 2020.
Në bazë të një urdhër arresti, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një nga të dyshuarit, shtetasi S. K., 48 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar.
I arrestuari dhe të dyshuarit e tjerë në hetim, kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj, nga brenda Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesës prej 30-40 mijë dollarë për person.
Hetimet vazhdojnë së bashku me partnerë të tjerë ligjzbatues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kontrabandës me qenie njerëzore”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje