Kjo është makina, e cila është qëlluar nga një tjetër mjet në lëvizje në Kamëz. Siç shikohet nga pamjet, automjetit i janë thyer xhamat. Automjeti tip Benz është dëmtuar tek pjesa e xhamit të përparmë dhe tek xhami i pasagjerit.
38-vjeçari Redi Vata që drejtonte Benzin është dërguar në spital, ndërsa policia ka identifikuar makinën nga e cila është qëlluar. I riu ka mbetur i lënduar pas konfliktit me sende të forta. Policia është në kërkim të një makine te dytë tip ML ngjyrë të bardhë që dyshohet se është përfshirë në ngjarje.
“Në Kamëz, dyshohet se për motive të dobëta janë përfshirë në konflikt dy drejtues automjetesh.
Si pasojë është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi R. V., rreth 38 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, është gjetur e sekuestruar një gëzhojë.
Punohet për identifikimin, kapjen e drejtuesit të automjetit tjetër të përfshirë në konflikt.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje