Keli ka rrëfyer para grupit hetimor se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës, ai që ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.
Ditën e sotme është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes së djeshme në zonën e Astirit, ku Darmend Keli qëlloi me thikë Amarildo Hoxhallarin, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Keli ka rrëfyer para grupit hetimor se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës, ai që ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, ka dëshmuar ai.
Hoxhallari më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një shokun e tij që drejtonte motorin. Por pak metra më pas ka rënë nga motori për shkak të plagëve. Policia ka arrestuar dhe shokun e tij drejtuesin e motorit për ‘Drejtim mjeti në gjendje të dehur’ pasi nga testi alkoolit ka rezultuar i pirë.
"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 76 dhe 279 të Kodit Penal, dhe shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Shtetasi D. K., ditën e djeshme, në Unazë të Re, ka goditur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital, ndërsa shtetasi A. M., drejtuesi i motomjetit ku ndodhej 34-vjeçari që ka ndërruar jetë, ka rezultuar se drejtonte motomjetin në gjendje të dehur."-njoftoi policia.
34-vjeçari Amarildo Hoxhallari, ishte një emër i njohur për organet ligjzbatuese, për shkak të precedentit të vitit 2015, kur u akuzua për organizimin e atentatit të dështuar ndaj pajtim Serjanit te “Rruga e Kavajës”.
Lini një Përgjigje