TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Gusht 2025, 15:39

Masakroi gruan me thikë në sy të fëmijëve, merr fund arratia e shqiptarit në Greqi; policia e arreston 200 metra larg banesës

Shkruar nga Pamfleti

Masakroi gruan me thikë në sy të fëmijëve, merr fund

Pandeli Nakoleci u arrestua teksa fshihej në një parking, 200 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja. 

40-vjeçari shqiptar Pandeli Nakoleci, i cili masakroi gruan e tij një ditë më parë në Volos të Greqisë, është arrestuar nga policia.

Sipas medias greke “Protothema”, Nakoleci është vënë në pranga mesditën e sotme në qendër të qytetit. Raportohet se 40-vjeçari u gjet në rrugën Pagason, afërsisht 200 metra larg shtëpisë ku ndodhi krimi barbar, teksa ishte fshehur në një parking.

Nakoleci u arratis menjëherë pasi vrau nënën e katër fëmijëve të tij me thikë. Ai ishte në kërkim prej mëngjesit të ditës së djeshme.

Ndërsa të hënën, më 25 gusht, pritet të kryhet autopsia e 36-vjeçares nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore i Selanikut, ku trupi i saj është transferuar tashmë.

Krimi ndodhi në pallatin ku jeton familja në rrugën Konstanta. Sherri filloi në apartamentin e tyre dhe çifti zbriti në hyrje të pallatit ku vazhduan të ziheshin. Më pas, 40-vjeçari shqiptar, dyshohet se vrau gruan e tij gjithashtu shqiptare me një objekt të mprehtë dhe u largua menjëherë nga vendi i krimit.

Informacioni tronditës është se burri filloi sulmin vrasës ndaj gruas nga apartamenti, në sy të katër fëmijëve.

Vajza e madhe ishte ajo që njoftoi shërbimet e urgjencës dhe kërkoi ndihmë për të shpëtuar nënën e saj.

"E pashë babin duke e therur mamin me thikë", raportohet se i ka thënë vajza-policisë.

40-vjeçari plagosi gruan në qafë dhe autori fillimisht e goditi atë brenda apartamentit në katin e parë ku jetonin. Më pas e vrau atë në hyrje të pallatit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse gruaja ra nga xhami i hyrjes (apo u shty nga autori), pasi është i thyer.

Dëshmitarë nga lagjja e çiftit raportuan se që prej mëngjesit çifti kishte pasur një debat të ashpër. Sipas informacioneve, në një moment 36-vjeçarja u përpoq të largohej nga shtëpia, por 40-vjeçari e ndoqi dhe e goditi 2 herë me mjet prerës.

Raportohet se çiftit kishte pasur shumë debate kohët e fundit, ndërsa autori 40-vjeçar thuhet se vuante nga probleme psikologjike, konsumonte drogë, ndërsa qershorin e kaluar tentoi vetëvrasjen.

Gjithashtu në nëntor të vitit 2024, ai u arrestua për dëbim administrativ, ndërsa në vitin 2019 u vu dy herë në pranga për posedim droge. Në vitin 2018, ai u dënua me një vit burg për dëshmi të rreme, ndërsa në vitin 2020 vuajti një dënim prej katër vitesh e gjysmë burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafik droge.

Aktiviteti i tij kriminal mund të gjurmohet që nga viti 2013, kur u arrestua për falsifikim dhe hyrje të paligjshme në vend.

Lini një Përgjigje