
Organizata kriminale e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, u godit së fundmi gjatë një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Europol, e cila rezultoi se ka trafikuar drejt Shqipërisë miliona euro.
Në dosjen hetimore, dalin bisedat mes anëtarëve të kësaj organizate, teksa flasin për sjelljen e shumave të konsiderueshme parash, shifra këto që arrijnë deri në 1 milion euro cash në një rrugë të vetme.
Në komunikimet që SPAK ka administruar nga aplikacioni Sky ECC, në tetor të vitit 2020, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij që jeton në Paraguai, Ardjan Çela, me të cilin kryen një bisedë e cila dyshohet se ka të bëjë me përfitimet financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike. Ervisi e vë në dijeni Ardjanin se Franc Çopja do të dorëzojë në Shqipëri një shumë prej 1 milion euro.
Ardjan Çela: “Me kismet fundjavës t’kaloj 1 milion në Shqipëri… I ka pagujt krejt ky…ka 2 milion plus ktej… Po çon dhe lekë në Shqipëri”.
Në dosjen e SPAK dalin edhe shuma të tjera, ku Ervis Çela informohet nga vëllai i tij Albin Çela.
Albin Çela: ‘Solli 1.160 ky shoku. Ja kish dhonë në mes të rrugës… Ai çuni në TR’.
Në një tjetër episode, që del në dosjen e SPAK, Ervis Çela komunikon me Fadil Ballën i cili aktualisht ndodhet në kërkim nga policia.
Ervis Çela: “Më ke nja 600… dollarë më shumë tani… A më the fut 110 copa… Dhe unë i futa… S’ta prish qejfin. Ti s’ke më shtëpi ku me fut lekët… Janë mush plot… Më ke lon pas dore. Edhe 2 milion dhe e mbyll punën”.
Më 10 gusht, Gjykata e Posaçme, konfirmoi arrestet me burg për 6 të prangosur të kësaj Organizate, Albin Çela, Petrit Sulejmanin, Renato Musakun, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çelën.
I vetmi nga 8 të prangosurit për të cilin Gjykata ka zbutur masën e sigurisë është Riza Çela, të cilin e ka çuar në arrest shtëpie. Kjo organizatë sipas SPAK, ka trafikuar 28 ton kokainë nga Paraguai në vende të Bashkimit Europian.
Lini një Përgjigje