TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Nëntor 2024, 21:46

"Kanë kapur 'niqen', Arlindin", a është viktima Bushati miku i grupit rival që zbulon dosja SKY ECC?

Shkruar nga Pamfleti

"Kanë kapur 'niqen', Arlindin", a është

Personi që shoqëronte në makinë Hamza Licin si pasagjer ditën e atentatit, 32-vjeçari Arlind Bushati, ishte një emër i njohur në qytetin verior. Ai është djali i ish-kandidatit të PD-së në Shkodër, Xhemal Bushati, dikur ish-kryetar i këshillit bashkiak në Shkodër.

Ky i fundit njihet si biznesmen me mjaft prona, pa lidhje me veprimtari të jashtëligjshme. Nëna e të ndjerit, Albana Bushati, është një ndër figurat më të rëndësishme të arsimit në qytet, drejtoreshë e gjimnazit “28 Nëntori”.

Arlind Bushati është një personazh periferik në zullumet e krimit në Shkodër, pa asnjë ndikim apo peshë, por emri i tij përflitet rreth grupeve kriminale. Miqësitë e Arlindit me personazhe të ndryshëm ishin të njohura për banorët e Shkodrës.

Madje, dikur ai shoqërohej me Astmer Bilalin, një prej personazheve kryesorë pranë grupit rival të Behar Bajrit. Kjo, del zbuluar nga hulumtimi mbi transkriptet e SKY ECC, teksa Astmeri njoftonte Beharin në vitin 2020 se u ishte vënë nga pas policia. Blutë mendohet se shoqëruan një person me emrin Arlind që dyshohet se është pikërisht viktima e masakrës së Dobracit.

“Astemeri shkruante që “më ka ndjek policia dhe u kam ikur, por kanë kapur ‘Niqen’, ‘Arlindin’ që rrinë me Bardhin, shifni ju andej se mos ju vjen kush”.

Benzi me targa të huaja ku udhëtonin viktimat ishte në pronësi të Bushatit. Ky i fundit kishte marrë paralajmërime të mëparshme se ishte në listën e zezë të eliminimit të armiqve të tij. Nuk dihet çfarë e kishte afruar me Licët, të riun që dikur njihej si mik pranë grupit rival. Nuk dihet nëse eliminimi i tij kishte qenë synim apo u vra veç prej shoqërisë me Licin.

Mënyra e vdekjes së tij, do të hedhë më shumë dritë mbi skenën e krimit, nëse siç dyshohet, ka pasur shkëmbim zjarri dhe kundërpërgjigje edhe nga benzi i viktimave. Kjo, do të mund të zbulohet pas identifikimit të saktë të personit të tretë dhe qartësimit të armëve që I kanë marrë jetën secilit.

“Prokuroritë në përgjithësi tentojnë të hyjnë në hetim edhe përmes SKY ECC dhe ENCRO CHAT, duhet të jenë sa më efikas e objektivi që mos lë në vend për interpretime që nga grupet e goditura përkthehen në masakër për qytetarët”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

Babai i dy fëmijëve të mitur ishte shënjestruar për t’u eliminuar afro 3 javë para se të ekzekutohej. 32-vjeçari po konsumonte një kafe me miqtë e tij në pedonalen e Shkodrës, në një zonë shumë të populluar teksa një motor me dy persona i afrohet. Njëri prej tyre nxjerr armën duke ia drejtuar Bushatit.

Fatmirësisht, nuk lëshohen plumba në drejtim të tij, pasi për ndryshe mund të kishim një masakër të vërtetë dhe në njerëz të pafajshëm. Arlind Bushati referoi rastin në polici ku paralajmëroi uniformat blu se ishte në rrezik. Asnjë masë nuk u mor dhe ai lëvizte lirisht në qytet.

Shënjestrimi i familjes Bushati nuk është diçka e panjohur nga Policia e Shkodrës. Një sasi eksplozivi u vendos në katin e pare të biznesit të familjes Bushati në marsin e 2022-it por pa pasoja aso kohe./TCH

 

Lini një Përgjigje